Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Deputeti Petro Koçi deklaron, se zgjedhja e anëtarëve të kryesisë për Tiranën ishte vazhdim i kongresit të Dhjetorit.
Petro Koçi: “Vihet re që ka një përsëritje të aspekteve negative të kongresit, në kuptimin që në këtë kryesim nuk ka një përfaqësim të të gjitha sensibiliteteve, por edhe të vlerave që ka Partia Socialiste e Tiranës. Disa nga anëtarët që quhen edhe të rinj, të kësaj kryesie, duket që përfaqësojnë në pushtet ekzekutiv, bile për më tepër pushtet të financave dhe të ekonomisë publike. Pra nga një vlerësim paraprak që unë i kam bërë emrave që kanë fituar, duket që të paktën njëri prej emrave që përfaqësojnë këtë pushtet ekzekutiv është më tepër seç duhet, kështu që duhet një rivotim”.
Sipas Petro Koçit, në të njëjtën mënyre edhe kongresi i partisë, zëvendësoi njerëzit e Ilir Metës me të privilegjuarit e kryeministrit Nano.
Petro Koçi: “Një pjesë e atyre që rrethojnë zotin Nano, menduan që të zëvendësojnë një nga pjesët që rrethonte zotin Meta, pra një kategori njerëzish të cilët janë futur në mënyrë artificiale në përfaqësimin e partisë. Pra të “persekutuarit” e zotit Meta u zëvendësuan me të “privilegjuarit” e zotit Nano, po janë e njëjta kategori morale dhe politike brenda partisë”.
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk sjell platformë të re. Sipas Petro Koçit, Ilir Meta është po aq përgjegjës në qeverisje, sa dhe kryeministri Nano. Megjithatë kjo lëvizje nuk duhet të paragjykohet për listën e kandidaturave të partisë në zgjedhjet e ardhshme.
Petro Koçi: “Të garantohet nëpërmjet vendimmarrjes në forume që të gjithë ata që kanë vlera dhe kontribute në parti, do të jenë në listën e përaqësimit tonë parlamentar për zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht se mund të kenë qenë pjesë e grupit Nano, e grupit Meta apo ndonjë grupi tjetër./tvklan.al
Gazetare: Arta Tozaj