Festimet e ndërrimit të viteve u shoqëruan me masa të forta sigurie në kryeqytet, e veçanërisht në sheshin “Skëndërbej”, aty ku qindra banorë u mblodhën për të kremtuar ardhjen e 2018-ës.

Qendra mori dhe vëmendjen më të madhe për shkak të koncertit të organizuar nga Bashkia e Tiranës. Kontrolle të imtësishme u kryen edhe për automjetet që u stacionuan në parkingun nëntokësor të sheshit “Skëndërbej”.

Për të parë nga afër situatën në terren krahas vartësve të tij të cilët ishin në shërbim të përforcuar çdo 12 orë ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako.

Patrullim të efektivëve të policisë krahas qendrës pati në të gjitha akset rrugore, pranë lokaleve restoranteve, si dhe në sheshin “Shqiponja”. Kontrolle pati edhe tek nënkalimi i Unazës së Re.

Jo të pakta kanë qënë rastet kur drejtues automjetesh janë shoqëruar nga uniformat blu për shkak se rezultonin nën efektin e alkoolit, apo nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë për të ndalur. 

Në rang vendi u pezulluan 32 leje drejtimi nga të cilat 14 patenta vetëm në Tiranë, ndërsa në orët e para të mëngjesit u arrestua edhe një drejtues mjeti në gjendje të dehur. Krahas rrugëve hyresë e dalëse në kryeqytet, policia në bashkëpunim me Forcat të Ndërhyrjes së Shpejtë ka patrulluar edhe akset kombëtare.

Tv Klan