Pezullimi i punimeve nga Ministria e Mjedisit në Sheshin Skënderbej ka sjellë edhe reagimin e menjëhershëm të Partisë Socialiste.

Nëpërmjet deputetit të qarkut të Tiranës, Ditmir Bushati, selia rozë është shprehur se bashkia e Tiranës disponon të gjitha lejet e nevojshme për kryerjen e punimeve në qendër të kryeqytetit.

Ditmir Bushati: “Si deputet dhe përfaqësues i interesave të qytetarëve të Tiranës, jam informuar se Bashkia e Tiranës ka marrë leje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, i cili për ironi është në varësi të këtij ministri dhe është paradoksale edhe deklarata e tij e sotshme. Kemi të bëjmë me një pengmarrje nga ana e qeverisë për të fshehur keqqeverisjen e këtij vendi që nga 28 Qershori i 2009-tës.”

Bashkia e Tiranës e ka quajtur keqkuptim qëndrimin e Ministrisë së Mjedisit për lejen mjedisore të projektit.

Në një reagim të saj, ky institucion sqaron se relacioni përmbledhës i projektit, vlerësimi i ndikimit në mjedis, dokumentacioni i procesit të konsultimit publik, si dhe fatura e pagesës së tarifës për lejen mjedisore, gjenden në arkivat e Ministrisë së Mjedisit.

Sipas bashkisë, në raste të tilla, pushteti lokal ka të drejtën të veprojë me parimin e miratimit të heshtur në pritje të zbardhjes të lejes përkatëse nga Ministria e Mjedisit.

Më tej, në njoftimin e bashkisë së kryeqytetit, thuhet se bashkia disponon edhe miratimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës për projektin e sheshit Skënderbej./tvklan.al