Adhurim Qehajaj, Drejtor i Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit në Bashkinë e Durrësit është pezulluar nga detyra me vendim të gjykatës. Ai akuzohet për shpërdorim detyre nga prokuroria, për dhënien e një lejeje ndërtimi në afërsi të Urës së Dajlanit, e cila konsiderohet zonë me rëndësi kombëtare, pasi është vetëm 20 metra larg detit.
Sipas prokurorëve, kjo leje është në kundërshtim më kriteret e ligjit, pasi në zona të tilla organ kompetent për t’i miratuar është Këshilli Kombëtar i Territorit. Objekti në pronësi të Ndriçim Domit ka një sipërfaqe prej 1516 metrash katrorë dhe parashikohet ndërtimi i një hoteli 6 katësh dhe një kat tjetër nën tokë.
Gjithashtu Gjykata e Durrësit miratoi kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e ndërtimit dhe pezullimin e transaksioneve të kësaj pasurie. Deri në një vendim të dytë të gjykatës, ajo as nuk mund të shitet apo tjetërsohet. Pritet që Prokuroria e Durrësit të thërrasë për të pyetur një sërë zyrtarësh të Bashkisë së qytetit bregdetar, për të sqaruar mënyrën e dhënies së kësaj leje.
Tv Klan