Kompania amerikane Pfizer po zhvillon një vaksinë me kompaninë partnere gjermane BioNTech, për të kombinuar vaksinën aktuale kundër koronavirusit me një formulë tjetër që do të shënjestrojë variantin Omicron.
Shefi ekzekutiv i kompanisë Pfizer, Albert Bourla, ka bërë të ditur se vaksina e re do të jetë gati për të marrë miratimin e autoriteteve shëndetësore në muajin Mars.
Duke komentuar edhe deklaratat e ekspertëve tjerë, Bourla ka thënë se vaksinat kundër koronavirusit mund të kthehen në doza të përvitshme, të ngjashme me ato të gripit stinor.
Qeveritë e shumë vendeve janë duke inkurajuar qytetarët e tyre që të imunizohen dhe në disa raste edhe të marrin doza përforcuese.
Dozat e treta të vaksinave janë të rëndësishme për shkak të varianteve të reja të koronavirusit dhe zvogëlimit të efektit të vaksinave pas një kohe. Megjithatë, thirrjet për marrje të dozave përforcuese në mënyrë të vazhdueshme, mund të kthehen në mision të vështirë, pasi ende ka persona që nuk kanë marrë ende dozat e para.
Nga të dhënat e tanishme duket se varianti Omicron është më i transmetueshëm se variantet tjera, por është më pak i rëndë sidomos për personat e vaksinuar.
Klan News