Daja: Do të përdoret vetëm si dozë përforcuese

Shqipëria do të marrë në Tetor vaksinën e re anti-Covid e cila siguron mbrojtje edhe nga variantet e Omicron. Përgjegjësia e programit kombëtar të vaksinimit, Rovena Daja sqaron për Televizionin Klan se kjo vaksinë do të përdoret vetëm si dozë përforcuese, pra pasi të jetë aplikuar të paktën një dozë vaksinë anti-Covid.

“Në Tetor vjen vaksina e cila është e destinuar për variantet e reja të Covid që ka një kohëzgjatje të imunitetit më të gjatë që rekomandohet të përdoret tek persona që e kanë bërë një dozë të parë dhe rekomandohet të bëhet një dozë booster për variantet që do qarkullojnë gjatë vjeshtës”.

Muaji Gusht solli një rënie të kërkesës për vaksinë, por ekspertët thonë se vjeshta është afër dhe vaksina nuk duhet neglizhuar.

“Për moshat mbi 12 vjeç me dozë të parë jemi 60%, mbi 40 e ca me dy doza, me dozë të 3 janë shumë pak njerëz, mbi 15%. Për Shtator apo Tetor, rekomandojmë dozë booster”.

4 ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se pandemisë po i vjen fundi, por krerët e shëndetësisë botërore kërkuan që të mos ndërpritet vaksinimi, ku prioritet duhet të jenë bluzat e bardha, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.

Tv Klan