Ardit Pulaj: Edhe sonte në “Pikat mbi i” do i kushtojmë sërish vëmendje krizës së Irakut, çarjes së Aleancës së Veriut përball një sulmi eventual ndaj Irakut por më shumë pozicionit që po mban qeveria shqiptare në këtë krizë. Për të diskutuar sonte në studion e lajmeve të Tv Klan kemi ftuar analistin Blendi Fevziu, drejtori i gazetës “Korrieri”. Mirëmbrëma Blendi!
Blendi Fevziu: Mirëmbrëma!
Ardit Pulaj: Atëherë fillimisht ministri Majko dje në studion e lajmeve deklaroi se në qoftë se aleanca do ti kërkonte Shqipërisë që të dërgonte trupa në mbështetje të krizës së Irakut qeveria shqiptare do të ishte e gatshme dhe do t’i niste ato. Përtej simbolikës, A mendoni se kjo gjë do të ndodh?
Blendi Fevziu: Unë nuk e di në do të ndodh kjo gjë. Në të vërtet edhe atëherë kur ministri i atëhershëm i Mbrojtjes po zoti Majko deklaroi se do të dërgonte rreth 300 trupa në Afganistan, pati njëlloj skepticizmi. Unë di të them se më shumë se si një hap konkret kjo duhet parë si një simbolik, sikurse e thatë edhe ju, për një arsye shumë të thjeshtë. Shqipëria ka pasur një qëndrim të pa ekuivok dhe të vazhdueshëm në favor të Aleancës së Veriut në të gjitha qëndrimet e saj të 12 viteve të fundit. Madje duhet thënë se po të përqendrohemi te kriza në Irak e cila ka krijuar një hendek dhe një debat mjaft të madh brenda mazhorancës dhe brenda strukturës së Aleancës së Atlentikut. Shqipëria është vendi i vetëm, për të mos thënë unik në rajon, i cili vazhdon të ketë një qëndrim të unifikuar, është vendi i vetëm ku nuk ka debat publik, nuk ka rryma pro dhe kudër, janë të gjithë pro dhe në favor të sulmit të Amerikan dhe ndaj aleancës së Irakut dhe nga ana tjetër nuk ka asnjë debat brenda politikës shqiptare. I gjithë spektri politik duke përfshirë edhe institucionet më të rëndësishme shqiptare janë të gjitha në një qëndrim dhe të vendosura në atë që quhet lufta në Irak. Besoj se pavarësisht qëndrimeve të Aleancës të Veriut është një zgjidhje e domosdoshme ose do të jetë një zgjidhje e domosdoshme ndaj sulmit të Irakut jo vetëm për kërcënimin që ky shtet po sjell për një seri vendesh të Evropës Perëndimore duke nisur nga shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë kam pasur bindjen se vende të tilla të cilat kërcënojnë jo vetëm vendet e tjera, por në radhë të parë popullsinë e tyre është mirë të marrin përgjigjen e merituar. Kam ndjekur në dy tre ditët e fundit vazhdimisht lajmet anglisht të Tv Irakut në satelit dhe të kujton Shqipërinë e viteve ’80-’89 dhe janë lajmet më të trishtuara që unë kam parë deri më sot.
Ardit Pulaj: Tre ditë më parë kryeministri Fatos Nano, në një letër të botuar në të përditshmen prestigjioze të Boston “Globe”, jo vetëm deklaroi mbështetjen e Tiranës zyrtare për luftën në Irak, por madje shkoi më tej duke ju kujtuar shteteve të tilla si Gjermania dhe Franca se po të mos ishte për ndërhyrjen e Amerikës në Luftën e Dyte Botërore këto shtete mund të mos ekzistonin. Pse mendoni ju se zoti Nano është shtyrë kaq larg në këtë polemik sa të pozicionohet kundër vendeve që në një farë mënyre kanë në dorë çelësat e hyrjes së Shqipërisë në Evropë?
Blendi Fevziu: Nuk është për t’u parë thjesht nëse këto vende kanë apo jo çelësat e hyrjes së Shqipërisë ne Evropë sepse ky do të ishte një qëndrim shumë më pragmatist. Çështja qëndron në faktin se kryeministri shqiptar, në këtë rast dhe në raste të tjera, duhet të jetë i vëmendshëm që të mos tentojë të marrë përsipër një rol të cilin nuk mund ta mbajnë supet e një kryeministri të Shqipërisë. Pra të mos tentojë të mbaj një rol i cili nuk përputhet me statusin që ai ka aktualisht. Pra çfarë do të doja të thoja me këtë? Natyrisht që Shqipëria është një vend i cili sikurse e thashë që në fillim është renditur pa ekuivok në favor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të aleancës anglo-amerikane, është një shtet ku opinioni publik e ka mbështetur në mënyrë absolute luftën, është një shtet i cili ka dëshmuar vullnet dhe dashamirësi ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim dhe tentativa e kryeministrit për të krijuar ose për të demonstruar një entuziazëm përtej caqeve që i lejohen kryeministrit të Shqipërisë, unë besoj se do të krijoj problem në raportet tona me këto vende. Unë nuk e kuptoj se pse ky vullnet i kryeministrit, kam vënë re se edhe rreth 10 ditë më parë gjatë vizitës së kryekomisionerit evropian Romano Prodi ai tentoi të krijonte një dualitet në raportin e Shqipërisë në kualitetin mes Prodit dhe Chris Pattenit kur tentoi të siguronte aleancën e Prodit duke e kundërvënë këtë me Chris Patern dhe sigurisht mori një përgjigje negative. Pra tentativa e Nanon për të dalë nga statuja që i lejon vendi që ai ka dhe për të luajtur një rol më të madh unë e shoh si një lëvizje të gabuar dhe natyrisht me konsekuenca për Shqipërinë.
Ardit Pulaj: A mendoni ju se këto përpjekje të qeverisë shqiptare për tu përfshirë në një debat kaq të madh siç është edhe çështja e Irakut, janë ndoshta më të mëdha se sa mundësitë e saj dhe a ka ndonjë qëllim tjetër më pas?
Blendi Fevziu: Unë nuk besoj. E para këto nuk janë tentativa të qeverisë shqiptare, unë besoj se të gjitha deklarimet e kryeministrit shqiptar janë bërë deklarime me titullin e tij personal pra si kryeministër i Shqipërisë dhe si Fatos Nano. Është e vështirë të hysh për të analizuar qëllimin e vërtet të kryeministrit shqiptar aq për më tepër që në analizat që i bëhen atij shumë herë është i paparashikueshëm dhe nuk lë shumë vend për t’u kuptuar, por unë besoj se ka dy mundësi: ose Nano ka ndryshuar qëndrimin e tij të dikurshëm të viteve ‘92-’93 dhe është shndërruar në një pro amerikan i deklaruar i hapur dhe madje entuziast në këtë drejtim, dhe kjo do të ishte një gjë shumë pozitive për kryeministrin por edhe për Shqipërinë në qoftë se do të ishte kjo, por ka edhe një shpjegim të dytë i cili natyrisht do të ishte shumë problematik në qoftë se Nano tenton në këtë rast si në rastin e Prodit dhe Chris Pattenit që të ofrohet si një aleat i deklaruar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke kërkuar në këmbim të kësaj aleance të shpallur entuziaste një lloj mos vëmendje apo një lloj tërheqje të Shteteve të Bashkuara në vëmendjen që ato tregojnë ndaj intensifikimit të krimit të organizuar në Shqipëri dhe moszbatimit të detyrave që Shqipëria ka marrë në komunitetin ndërkombëtar kundra kontrabandës dhe krimit të organizuar. Në qoftë se do të ndodhte kështu, pra në qoftë se Nano do të tentonte të realizonte modelin e republikave turkmene gjatë luftës së Afganistanit ose të Egjiptit dhe Arabisë Saudite gjatë luftës së Gjirit ose edhe më pas do ishte e gabuar. Do të ishte e gabuar edhe për dy arsye shumë të thjeshta sepse është e vërtete që ka pasur tolerime të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj drejtuesve që nuk zbatonin aq sa duhet parimet demokratike dhe që kanë pasur probleme në vendin e tyre siç kanë qenë drejtuesit e republikave turkmene, Egjipti ose Arabia Saudite, por ka ndodhur në dy kushte krejtësisht të ndryshme. Dihet që republikat turkmene përbënin një njësi mjaft të rëndësishme nga ana strategjike gjatë luftës në Afganistan dhe mund t’i kenë toleruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke pasur nevojë për një mbështetje strategjike logjistike, ndërsa për sa i takon Egjiptit dhe Arabisë Saudite, bëhet fjalë për dy vende ku mazhoranca e popullatës ka shprehur ndjena të qarta antiamerikane ndërkohë që qeveritë e këtyre dy vendeve kanë pasur një qëndrim pro amerikan në vazhdim, pra bëhet fjalë për dy vende kur interesat e Shteteve të Bashkuara kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha dhe në një vend si Shqipëria, ku nuk ka asnjë kontestim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku nuk ka asnjë kontestim gjatë luftës ku nuk ka asnjë rëndësi strategjike dhe logjistike, tentativa e kryeministrit shqiptar për të fituar një status të tillë në raport me vëmendjen qe komuniteti ndërkombëtar dhe kryesisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar ndaj Shqipërisë në këto drejtime që thashë pra lufta ndaj krimit të organizuar dhe kontrabandës dhe korrupsionit është një tentativë e gabuar. Nuk e di nëse është kjo. Nëse do të ishte do të ishte një gabim. Shpresoj që ky të jetë një amerikanizëm i gabuar i zotit Nano.
Ardit Pulaj: Zoti Fevziu faleminderit për bisedën në studio! Të nderuar shikues në “Pikat mbi i” të sotme kishim të ftuar analistin Blendi Fevziu drejtor i gazetës “Korrieri”./tvklan.al