Thuajse 40 vende raportojnë rekorde të rasteve të reja
Bota duket se po jeton pikun e dytë të pandemisë. Vetëm një muaj pasi la pas krahëve të parin. Gjatë javës që po lëmë pas, thuajse 40 vende kanë raportuar rekorde ditore të të infektuarve, gati dyfishin e shifrave krahasuar më javën paraardhëse, ndërsa shifra totale e të infektuarve ka kapur shifrën 16 milionë.
Shkalla e rasteve ka ardhur duke u rritur jo vetëm në vendet si Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India, të cilat kanë shpërthimin më të madh, por edhe në vendet europiane si Belgjika, Rumania e Bullgaria, apo Australia, Japonia, Hong Kongu, Bolivia etj.
Kjo situatë e re erdhi veçanërisht në vendet që lehtësuan lëvizjen.
“Ne nuk do të kthehemi te “normalja e vjetër “. Pandemia tashmë ka ndryshuar mënyrën e jetesës sonë. Ju kërkojmë të gjithëve të kenë kujdes ku shkojnë dhe kë takojnë, pasi vendimi mes jetës dhe vdekjes është vetëm i tyre”.
Ekspertët shëndetësorë ndërkohë ngrenë shqetësimin për numrin real të vdekjeve, pasi sipas tyre vendet me sistem të dobët shëndetësor nuk raportojnë shifrat e sakta.
Shtetet e Bashkuara këtë javë regjistruan mbi 4 milionë të prekur që nga moment I shfaqjes së pandemisë, ndërsa numri i viktimave ditore prej ditësh i ka kaluar 1 mijë. Brazili, për të cilin epidemiologët thonë se ende nuk e kanë arritur pikun, gjithashtu ka regjistruar mbi 1 milion raste. Autoritet anuluan edhe karnavalet e famshme për të frenuar virusin.
Në Gjermani kryeministri Saksonisë, Michael Kretschmer dha alarmin për rritjen e numrit të infektimeve të reja, ndërsa theksoi se vala e dytë e koronavirusit ka mbërritur.
Bota aktualisht ka 16 milionë të infektuar me Covid-19 teksa më shumë se 620 mijë njerëz kanë humbur jetën.
Tv Klan