Check In u ndal këtë të shtunë në shtetin Yucatán të Meksikës. Nga qyteti Maya i Uxmal-it, Albana Nanaj përcolli fakte interesante rreth tij. Kështu, i themeluar në shekullin e 6 të erës tonë, kulmin e tij e arriti në periudhën klasike të qytetërimit Maya, me një popullsi prej rreth 20 mijë banorësh qyteti mbeti i humbur nën bimësinë e dendur për gati 10 shekuj, deri në rizbulimin e tij nga arkeologët, në shekullin e 19-të.

Ndërtesat e tij karakterizohen nga dekorime të pasura dhe elegante, por në të njëjtën kohë imponuese dhe masive, si për të demonstruar fuqinë e tij mbi qytetet fqinje.

Aspekti urban i Uxmal-it është unik, i krijuar në bazë të fenomeneve astronomike, si lindja e Venusit dhe perëndimi i diellit, si dhe ndërtimin e një sistemi ujor të avancuar me cisterna të mëdha dhe pellgje artificiale, nëpërmjet të cilit banorët e Uxmal, falë aftësive të tyre inxhinierike kishin arritur t’i rezistonin mungesës së ujit.

Piramida e Falltarit, ose Piramida e Gjetjes, është dhe ndërtesa simbolike e Uxmal.

Albana Nanaj: Në fakt kjo piramidë është shumë e çuditshme në formë. Në të dyja anët ka këto format, në formën e vezës është më e lëmuar se të tjerat. Nëse piramidat e tjera janë të bëra në shkallë, kjo është dhe më e lëmuar. Është dhe më e veçanta nga të gjitha piramidat Maya që ne i gjejmë në gjithë Meksikën.

Një piramidë e madhe, gati 40 metra e lartë, e cila sipas legjendës u ndërtua në një natë, nga një fallxhore për një xhuxh, që i ishte i biri i saj.

Albana Nanaj: Nga këtu është pika më e lartë për të parë Piramidën e Gjetjes që është dhe piramida kryesore e sitit arkeologjik të Uxmal-it. Ka disa legjenda rreth saj. Është quajtur ndryshe edhe Piramida e Xhuxhit.

Por e vërteta qëndron që piramida është ndërtuar qartë në faza të ndryshme, duke filluar nga shekulli i 6 deri në shekullin e 10. Kjo do të thotë se një natë nuk mjaftoi vërtetë për ndërtimin e saj, por u deshën më shumë se 400 vjet./tvklan.al