Lajme Arkiva 2003
Megjithëse hetimet për vrasjen e një jave më parë të sekretarit të përgjithshëm të Komunitetit Mysliman Shqiptar Sali Tivarit po bëhen mbi disa pista dhe identiteti i ekzekutorit është ende mister, policia e Tiranës është në kërkim të një shtetasi me disa të dhëna të përshkruara fizike.
Nisur nga dëshmitë e punonjësve të komunitetit të ndodhur në godinë në momentin e vrasjes, policia ka realizuar dhe një identitet të një shtetasi i cili është parë, gjithmonë sipas punonjësve të komunitetit të dalë në korridoret e selisë pas vrasjes. Në protokollin e shërbimit pranë rojës së Selisë nuk është shënuar emri i ndonjë personi të huaj të ndodhur në godinë në mëngjesin e të hënës që u krye krimi.
Por përshkrimet e dëshmitarëve janë konkretizuar në portretin e ekzekutorit të mundshëm. Ky identitet i një mashkulli në moshë të re është shpërndarë në të gjitha komisariatet e vendit dhe policia është e autorizuar të bëjë ndalime të shtetasve të ngjashëm.
Portreti ka tipare të rregullta sy dhe flokë në ngjyrë të errët, mjekër dhe është me trup të gjatë mbi 1 e 70 metra. Policia dhe prokuroria që ka marrë dosjen hetimore në duar nuk ka përjashtuar asnjë nga pistat hetimore si ajo e rivaliteteve brenda komuniteteve, grindje për shkaqe pronësie dhe eliminim si pasojë e grupeve terroriste, por gjithsesi janë konsideruar dhe dëshmi të dhëna nga kolegë apo vartës të Tivarit të cilët kanë deklaruar se në seli është parë dhe një person i huaj si ekzekutor i mundshëm i sekretarit të komunitetit mysliman shqiptar./tvklan.al