Këngëtarja dhe grupi përfaqësues i Shqipërisë në Eurosong 2009 u prit sot nga Ministri i Kulturës, Ardian Turku, i cili i uroi atyre suksese në këtë eveniment të rëndësishëm të muzikës evropiane.
Ardian Turku: “Do të doja të shprehja kënaqësinë time dhe t’ju falënderoja juve, ekipin që do të përfaqësoni Shqipërinë në Eurosong, apo festivalin evropian të këngës në Moskë që zhvillohet pas pak ditësh. Unë jam i sigurt që vajza juaj atje, qëndrimi juaj atje do të jetë shumë korrekt dhe përfaqësimi do të jetë shumë dinjitoz”.
“Më merr në ëndërr” titullohet kënga që do të përfaqësojë vendin tonë në Eurosong me tekst të Agim Doçit dhe muzikë të Edmond Zhulalit.
Fituesja e festivalit të përvitshëm të këngës në Radiotelevizioni Shqiptar, Kejsi Tola, e emocionuar premton për një përfaqësim dinjitoz të saj dhe Shqipërisë në Eurosong.
Kejsi Tola: “Unë jam shumë e nderuar dhe shumë e lumtur në të njëjtën kohë që përfaqësoj Shqipërinë në Eurovizion. Është ndoshta një nga gjërat më të mëdha që më ka ndodhur në jetë dhe jam shumë mirënjohëse njerëzve të cilët ndodhen këtu. Jam shumë e emocionuar edhe tani që flas. Besoj se do të bëj një përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë në Eurovizion këtë vit.”
Kënga e përkthyer në anglisht nga June Taylor Myftari, “Carry me in your dreams” do të shoqërohet në sfond nga trupa e baletit me koreografi të Julian Bulkut.
Festivali këtë vit do të zhvillohet në Moskë në datat 12, 14 dhe 16 Maj. Shqipëria përfaqësohet për të gjashtin vit në Festivalin Evropian të Këngës.
Këngëtarja e parë shqiptare, pjesëmarrëse në këtë festival është Anjeza Shahini./tvklan.al