It’s All About You, një ëndërr që Juliana Pasha rreket ta përcjellë deri në përjetësi, një ëndërr që gjithkush e përjeton si në një film.

Ky videoklip dhe kjo performancë e re e këngës së Juliana Pashës që do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 55 të Eurovizion në Maj në Oslo të Norvegjisë janë pamjet ekskluzive të këngës, ashtu si ajo do të këndohet në skenën e festivalit evropian.

Ky element shtesë, i kërkuar për herë të parë nga organizatorët e këtij evenimenti mbarë evropian, u regjistrua në skenën e teatrit të TV KLAN dhe u dorëzua të martën në Oslo nga delegacioni shqiptar bashkë me videoklipin, një koncept filmik i realizuar nga regjisori Pali Kuke.

Plot dy muaj para interpretimit në Eurovizion, Juliana Pasha tregon për performancën e saj të re, ku ajo shoqërohet nga tri back vokaliste amerikane, Glennis, Joy dhe Daisyre.

Juliana Pasha: “Gjithçka në fakt është realizuar, si regjistrimi i këngës është bërë e tëra në Angli, në Cabin Studio, ndërkohë që masterizimi i këngës dhe miksimi i saj është bërë në Itali, ndërsa masterizimi është bërë në Sterling Sound, në Amerikë, ndaj të gjitha emrat vijnë nga shtetet më të fuqishme, që të paktën sot për sot kanë, prodhojnë muzikën më të mirë në botë, ndaj për këtë jam shumë e kënaqur. Është një ndryshim shumë i bukur që i është bërë këngës. Jam shumë e kënaqur me gjithçka çfarë është ndryshuar dhe besoj se do të pëlqehet vërtet shumë edhe mua më bën të ndihem shumë mirë në skenë tashmë. Kam më tepër energji dhe më jep, më jep një energji shumë pozitive teksa e këndoj”.

Juliana Pasha më It’s All About You në versionin shqip “Nuk mundem pa ty”, me muzikë të Ardit Gjebresë, bashkautor teksti me Pirro Çakon do të interpretojë në gjysmëfinalen e parë të Festivalit Evropian të këtij viti.

Ardit Gjebrea: “Në datën 25 Maj është gjysmëfinalja e parë. Ne jemi të 12-tët. Mendoj që jemi mirë të pozicionuar, gjithmonë në domethënë pjesa një e treta e fundit e një festivali, e pjesëmarrjeve në festival, një vend shumë i mirë, domethënë për të prezantuar këngën. Fati më i madh i yni është që përpara nesh është kënga e Maltës, e cila është një këngë e qetë”.

Juliana Pasha: “Deri më tani kam qenë shumë e qetë. Nuk e kisha ndier akoma emocionin se çfarë do të më priste në Eurovizion. Tanimë që u hodh edhe shorti, kemi marrë vesh se të satët do të jemi dhe kam filluar ta ndiej vërtet emocionin”.

Ardit Gjebrea: “Mendoj që këngët që janë në natën gjysmëfinale të parën, që është nata kur ne marrim pjesë I kemi dëgjuar të gjitha dhe mendoj që shanset janë të mira për të futur në finale.”

Kënga shqiptare rezulton deri tani në forumet internacionale si një ndër favoritët për të kaluar në finalen e madh të edicionit të 55 të Eurosong më 29 Maj.

Sipas mediave dhe forumeve që analizojnë rezultatet e votimeve të këngëve përfaqësuese, Eurovizioni përflitet si një festival politik, ku shtetet përfaqësues favorizojnë konkurrentët në bazë strategjish.

Ardit Gjebrea: “Gjithçka varet nga niveli i këngës, varet nga niveli i interpretimit, varet nga pritja se si publiku do ta presë këtë këngë, si do të votojnë juritë. Në fund të fundit festivalit evropian i duhet një natë finale me këngë të bukura. Uroj që e jona ta meritojë këtë vend në festival dhe jo sepse është një festival politik, por sepse ne meritojmë që të jemi në finale.”/tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani