Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për rikonstruksionin e sheshit Skënderbej, pa marrë më parë miratimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës.
Duke qenë se ky shesh, me propozimin e vetë kryebashkiakut të Tiranës, në kohën kur ky i fundit ishte ministër i kulturës, është shpallur me vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2002 ansambël monument kulture.
Përpara fillimit të punimeve, Bashkia e Tiranës duhej të merrte për projektin e sheshit pëlqimin e Institutit të Monumenteve të Kulturës, çka realisht nuk ka ndodhur.
Në një dalje përpara mediave, kreu i këtij institucioni, Ferdinand Xhaferraj, ka bërë publike korrespondencën që Bashkia e Tiranës ka patur me institutin në lidhje me projektin në fjalë, ku konstatohet sipas ministrit se bashkia me procedurat e ndjekura ka shkelur hapur ligjet në fuqi.
Ferdinand Xhaferraj: “Bashkia e Tiranës, afro dy vite më parë, në Prill të vitit 2008, i ka kërkuar Institutit të Monumenteve të Kulturës që të miratojnë projekt-idenë e tij për rehabilitimin e sheshit Skënderbej. Kjo kërkesë ka ardhur në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, i cili është mbledhur në Nëntor të vitit 2008. E ka diskutuar me shumë profesionalizëm dhe mbas një diskutimi profesional është kërkuar që projektit të zotit Edi Rama për ndërhyrjen në sheshin Skënderbej t’i bëhen disa ndryshime, por dy më kryesoret janë e para, pjerrësia e sheshit të mos kalojë 1% dhe e dyta, të mos ndërtohen dy godina. Njëra që është në aksin që të nxjerr tek stacioni i trenit, dhe tjetra që është midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë. Me t’u njohur me këto ndryshime, zoti Edi Rama ka ndërprerë korrespondencën me Ministrinë e Kulturës dhe Institutin e Monumenteve të Kulturës.”
Sipas Ministrisë së Kulturës përsa kohë që nuk ka një zbardhje të projektit të miratuar me ndryshimet e kërkuara nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve projekti i sheshit Skënderbej nuk ka bazë ligjore dhe si pasojë është në kundërshtim me procedurat në fuqi.
Ligji për trashëgiminë kulturore parashikon qartë se çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit te territorit për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura monument kulture pa marrë më parë miratimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve është i pavlefshëm./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami