Një ngjarje e pazakontë ndodhi mëngjesin e kësaj të enjteje në një hotel në autostradën Durrës-Tiranë. Arni Sulejmani një djalë 20-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri, për shkaqe momentalisht të panjohura. Autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje është Markeljan Beqiri. 26-vjeçari sipas policisë ka tentuar ta vrasë të riun Sulejmani, i cili ndodhet në spital jashtë rreziku për jetën.

Por në këtë ngjarje të përfshirë janë 5 persona. 4 prej tyre, 1 vajzë dhe 3 djem ndodheshin të gjithë në dhomën e hotelit në momentin e ngjarjes. Kështu, policia e Durrësit në njoftimin e saj për mediat tha se kishte arrestuar 2 persona, ndërsa autorin e dyshuar të ngjarjes dhe një tjetër i kishte shpallur në kërkim. Përveç 26-vjeçarit Markeljan Beqiri në kërkim është shpallur edhe 32-vjeçari Tefik Shehu, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.

Ndërsa në pranga ka rënë 22-vjeçarja Anxhela Brisku, si dhe 66-vjeçari Enver Hysenaj. E reja u arrestua pasi menjëherë pas ngjarjes fshehu armën në pjesën e pasme të hotelit. Ndërsa 66-vjeçari strehoi të renë…

Momentalisht mbetet e paqartë se cili ka qenë konflikti mes personave në fjalë që çoi deri në tentativë vrasje. Policia thotë se po punon për kapjen e dy personave në kërkim.

NJOFTIMI I POLICISE

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në ambientet e dhomës së një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë, ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se në ambientet e dhomës së një hoteli, në të cilën kanë qenë shtetasit Markeljan Beqiri, Tefik Shehu, Anxhela Brisku dhe Arni Sulejmani, Markeljan Beqiri ka tentuar të vrasë me armë zjarri, Arni Sulejmanin, 20 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve hetimore 26-vjeçari Markeljan Beqiri, banues në Durrës, është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Në kërkim është shpallur edhe Tefik Shehu 32 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

Anxhela Brisku 22 vjeçe, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”. Kjo shtetase, menjëherë pas ngjarjes, ka marrë armën e zjarrit dhe e ka fshehur në pjesën e pasme të hotelit;

Enver Hysenaj 66 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka strehuar Briskun, ndërkohë që ka patur dijeni për ngjarjen.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë që është përdorur në këtë ngjarje.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.