Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shënavlash, ku u plagos me armë zjarri, 24-vjeçari me iniciale E.B. Si rezultat i veprimeve hetimore është identifikuar autori i dyshuar i plagosjes, 33-vjeçari me iniciale I.B.
Uniformat blu bëjnë me dije se autori i dyshuar është djali i xhaxhait të 24-vjeçarit, i cili gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri në këmbë kushëririn. Ky i fundit vijon të jetë në spital nën kujdesin e mjekëve.
Vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar, 33-vjeçarit me iniciale I.B. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në Spitalin Rajonal Durrës ishte paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi E. B., 24 vjeç, pasi ishte plagosur me armë zjarri, në këmbë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Durrës, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, në oborrin e banesës së 24-vjeçarit, në fshatin Shënavlash, ku në drejtimin e prokurorit, kryen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorit.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se autori i dyshuar është shtetasi I. B., 33 vjeç, banues në fshatin Shënavlash, i cili gjatë një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, djalin e xhaxhait të tij, shtetasin E. B., i cili vijon të jetë në spital, në kujdesin e mjekëve.
Vijon puna për kapjen e shtetasit I. B. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al