Mjeku neurolog, Kosta Koçi, i sulmuar me thikë një ditë më parë, ka dalë nga gjendja e komës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar gjatë natës ku ai ka mundur të dëshmojë pak fakte lidhur me autorin e ngjarjes.
65-vjeçari ka mundur t’i thotë policisë se mbante mend vetëm një person me tuta që e ka sulmuar.
Ngjarja e rëndë është dënuar nga mjekët e spitalit të Vlorës, të cilët kanë hartuar dhe një peticion dhe kanë paralajmëruar një protestë ditën e nesërme.
“Jemi të indinjuar për shkak të sjelljes së pahijshme deri në raste të tilla kriminale që po shtohen dita-ditës. Personeli mjekësor i stresuar ndihet i pambrojtur dhe jo i qetë për të kryer detyrën e tij humane dhe fisnike. I bëjmë thirrje mjekëve dhe institucioneve përkatëse në të gjithë vendin të sensibilizohen për të gjetur një zgjidhje.”
Këto janë fjalët që shkruhen në peticionin e bërë publik. Sulmet ndaj bluzave të bardha janë kthyer tashmë në një shqetësim real.
Pak muaj më parë shefi i kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, Refik Refatllari, u qëllua me thikë brenda ambienteve të spitalit, ngjarje që shkaktoi pezullimin e operacioneve në qendrën më të madhe spitalore në vend.
Policia e Vlorës ka vendosur si shpërblim një shumë prej 300 mijë lekësh për informacionet që do të çojnë në kapjen e autorit./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka