Shqipëria, e njohur ndryshe si pasioni i ri mesdhetar, është një ndër vendet më atraktive të Evropës Juglindore.
Pozita e favorshme gjeografike, klima, bukuritë natyrore dhe trashëgimia e pasur historike e kulturore përbëjnë garanci dëfrimi për çdo turist që zgjedh për të vizituar tokën e shqipeve.
Ana Dilelio është një turiste nga Italia. Ajo ka ardhur në Shqipëri me bashkëshortin e saj amerikan, Sem Kroford.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters ata shpjegojnë se sa shumë u pëlqen akomodimi, çmimet, ushqimi dhe plazhi në Shqipëri.
“Shqipëria është e mrekullueshme. Më pëlqen shumë. E dua natyrën e saj, malet dhe detin. Në fakt malet thyhen pikërisht në këtë det. Siç shihet në male ka akoma dëborë dhe jemi akoma ne Qershor. Nga ana tjetër kemi dhe bimësinë e mrekullueshme të këtyre plazheve. Është me të vërtet mahnitëse.”
Por kohët e fundit plazhet e jugut të Shqipërisë po përballen me një problem shqetësues, plehrat, shishet plastike, të cilat në të vërtet po rrezikojnë dhe prishin bukurinë e rrugëve dhe bregdetit jugor.
“Komenti im i vetëm negativ është për plehrat. Mendoj se Shqipëria duhet ta zgjidhë këtë problem sepse plehrat e shëmtojnë këtë vend kaq të bukur”.
Sem Kroford sugjeron se për të zgjidhur këtë problem si fillim është i nevojshëm edukimi i njerëzve ndaj hedhjes së plehrave në ambientet publike.
Mendoj, thotë ai, se ky do të jetë një hap tejet i rëndësishëm. Turizmi në Shqipëri sjell 5% të GDP-së në vend dhe plehrat janë një problem jo vetëm për bregdetin shqiptar, por edhe për vende të tjera të Ballkanit.
Për kryeministrin Berisha që Reuters e cilëson si politikanin më kryesor të vendit që nga rënia e komunizmit pastrimi i bregdetit shqiptar është i rëndësishëm.
Një Shqipëri e pastër është prioriteti im kryesor, thotë Berisha. Po kërkojmë për teknologji të reja për arritjen e këtij qëllimi dhe po ndërtojmë landfille në shumë zona. Kemi një projekt të gjerë nga Velipoja në Ksamil. Pas dy vitesh asnjë ujë i pisët nuk do të derdhet në brigjet shqiptare, garanton kryeministri.
Shqipëria ka një gjatësi të konsiderueshme te vijës bregdetare prej 450 kilometrash, e shtrirë kjo në detin Adriatik dhe Jon.
Gjurmët e civilizimeve të ndryshme mund të shihen përgjatë gjithë rivierës dhe një nga më mbresëlënësit është Butrinti, i mbrojtur nga UNESCO, se bashku me Gjirokastrën, i njohur si qyteti i gurit./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle