Vetëm 11 kilometra nga Durrësi, plazhi i Fllakës po kthehet në një destinacion turistik mjaft të preferuar, ku mund të pushosh në qetësi, në një plazh me rërë dhe ujë të pastër.
Udhëtimi drejt plazhit të Fllakës është një aventurë unike. Kalimi nëpër rrugët e ngushta dhe pyjet e gjelbëruara të jep ndjesinë e një lidhjeje të thellë me natyrën.
Sapo arrin në plazh, shikon hapësirat e mëdha të rërës dhe bukuritë e lagunës. Natyra këtu është e paprekur. Nuk ka ndërtime të mëdha apo infrastruktura moderne. Këtu mund të relaksohesh dhe të shijosh bukuritë e natyrës në formën e saj më të pastër.
“Ne këtu kemi edhe një vend për kamperat që na vizitojnë shumë të huajt. Ata pëlqejnë shumë vendet e tilla të cilat nuk kanë ndërtime, vetëm ujë, rërë dhe det. Është mirë”.
Një nga atraksionet kryesore të plazhit të Fllakës është edhe kampingu.
Turistët vlerësojnë bukurinë natyrore të zonës.
“Vij për herë të parë. Është një vend shumë I bukur.hapësira është fantastike. Një zonë jo shumë e zhvilluar dhe shumë qetë. Edhe njerëzit janë mikpritës e të dashur”.
Pushues besnik të këtij plazhi, thonë se qetësia është ajo çka i tërheq më shumë.
“Kam ardhur disa herë dhe vij me qejf, vij nga Sardenja, atje është deti i njëjtë si këtu, i bukur por me ngjyrë si në Sardenjë. Në Kubë kam qenë vitin tjetër, është kështu”.
“Muzika jo shumë e lartë, jo shumë njerëz, hapësira për familje është shumë mirë”.
Ky plazh, ndryshe nga të tjerët, ofron një përvojë unike, duke i dhënë vizitorëve mundësinë për të shijuar kalërimin, për të eksploruar plazhin dhe rrethinat e tij.
Ecja me kalë për vizitorët përgjatë vijës bregdetare dhe nëpër shtigje pyjore është një përvojë që të lidh ngushtë me natyrën dhe të jep një ndjesi lirie dhe paqeje.
Plazhi i Fllakës është një thesar i vërtetë për ata që kërkojnë një arratisje nga zhurma dhe kaosi i përditshëm.
Është vendi ku mund të lidhesh me natyrën, të shijosh momentet e qeta dhe të krijosh kujtime të paharrueshme edhe atëherë kur dielli perendon mbi det.
Klan News