Plazhi i Shëngjinit, një prej destinacioneve kryesore turistike në vend, përballet këtë sezon me probleme të shumta që kanë të bëjnë me infrastrukturën, mungesën e ujit të pijshëm, papastërtitë, praninë e inerteve, ndërtimeve pa leje, si dhe zaptimin e hapësirave publike.
Rruga që lidh Lezhën me Shëngjinin është në ndërtim e sipër dhe hapja e punimeve gjatë sezonit turistik ka krijuar kaos në kalimin drejt zonës së plazhit.
“Për qytetin është njëjtë dhe për turizmin është njëjtë, ky është një shkatërrim. Po u bllokua rruga do të thotë me paralizu biznesin”.
“Se çfarë qëllimi ka që të prishet në prag të sezonit turistik rruga kryesore që lidh Shëngjinin me Lezhën unë nuk e di se kujt i intereson një gjë e tillë.”
Si të mos mjaftonte kjo Shëngjini vuan thatësirën dhe mungesën e ujit të pijshëm.
“Aktualisht ne nuk kemi ujë dhe nuk dihet se kur do na vijë ky ujë i pijshëm”.
“Ujë të pijshëm ka shteti shumë probleme, por në përgjithësi njerëzit e kanë marrë ujin me vete dhe i dinë këto kushte.”
“Është premtuar shumë herë, sidomos për fillimin e sezonit që do vinte uji i pijshëm. Bile është edhe inauguruar ujësjellësi, mirëpo uji s’ka ardhur akoma.”
Siç duket edhe nga pamjet tashmë që sezoni turistik është në kulmin e tij plazhi i Shëngjinit reflekton mungesën e pushuesve për shkak të kushteve të papërshtatshme për pritjen dhe trajtimin e tyre.
Kjo pohohet edhe nga vetë ata, por edhe nga bizneset e zonës, të cilët janë më të dëmtuarit nga ky sezon që duket se nuk ka nisur mbarë për askënd./tvklan.al