Dumani dhe Henrik Hoxha dëshmuan për krimet e kryera në 11 vite në Elbasan, Durrës, Tiranë e Fier
27 krime të rënda, si vrasje, pengmarrje, vjedhje me dhunë rëndojnë për 20 të arrestuarit nga operacioni “Plumbi i Artë”. SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar dosjen në gjykatë. Mbi Nuredin Dumanin dhe 19 persona të tjerë rëndojnë disa akuza të rënda penale.
Prokuroria e Posaçme në njoftim zyrtar rendit 27 krimet për të cilat ata akuzohen, që kanë ndodhur nga 2011 deri në vitin 2022.
SPAK ka zbardhur vrasjen e Dorian Shkozës e Anxhelo Avdiajt, më 2 Mars të vitit 2020 në lagjen 14 në Durrës. Pas afro 2 muajsh, më 27 Prill u vranë vëllezërit Haxhiaj në Shën Avlash. Në të dy këto atentate akuzohet Talo Çela dhe Nuredin Dumani.
Një vrasje makabre ndodhi ndaj Fatmira Dedajt, nëna e Elvis Dedajt, i ekzekutuar nga Talo Çela dhe Nuredin Dumani në vitin 2012. Ajo dëshmoi në prokurori se djalin ja ka vrarë Festimi Qoli. Ky i fundit pagoi 40 mije Euro për ta vrarë. Krimi ndodhi në garazh sapo Dedaj doli nga makina. Nuredin Dumani tregoi në SPAK se Talo Çela e dhunoi me grushta e shkelma dhe me pas e goditi me thikë.
Një tjetër krim I zbardhur është dhe vrasja e Andi Zylyfit dhe plagosjes së Ardit Uruçit më datë 13 Dhjetor të 2019-ës, në rrugën nacionale Peqin-Elbasan.
Në dosje voluminoze të SPAK atentatorët kanë marrë nga 30 deri në 500 mijë Euro për të kryer vrasje.
Të 27 krimet e rënda janë hetuar për afro një vit e katër muaj nga SPAK. Pas dëshmive të dy të penduarve të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Enrik Hoxhaj, policia arrestoi 20 persona, ndërsa 12 janë ende në kërkim. Dumani dhe Talo Çela nga shokë të ngushtë u kthyen në armiq të përbetuar, kjo për shkak të ndarjes së parave të vjedhura në Rinas. E pikërisht hetimet nisën nga atentati që dyshohet se Talo Cela i bëri më 29 Mars 2022 Nuredin Dumanit, në Papër.
Tashmë Gjykata e Posaçme brenda dhjetë ditëve duhet të zhvillojë seancën paraprake ku do të vendoset nëse dosja do të kalojë për gjykim, mund të rikthehet për rihetim.
Të arrestuar:
Nuredin Dumani
Henrik Hoxhaj
Erion Alibej
Skerdi Tasi
Altin Ndoci
Elvis Koçi
Ilirian Feci
Leonard Palushi
Gentian Sharra
Fatos Gosa
Florenc Çekrezi
Petrit Qoli
Agron Qoli
Enver Diva
Besjan Xhixha
Ardjan Uzuni
Asllan Plaku
Agron Qafa
Në kërkim:
Talo Çela
Alban Bengasi
Florenc Çapja
Festim Qoli
Ervis Martinaj
Agron Mehja
Aleks Çela
Mikael Qosja
Alket Xhixha
Abedin Mama
Marjus Lulaj
Elvin Merlika
Ngjarjet kriminale:
1. Sigurimi i mjeteve dhe i kushteve për të vrarë Kastriot (Elton) Kilen më datë 29.03.2022, në Elbasan;
2. Vrasja me paramendim e Filip Gjeloshaj më datë 05.02.2011 rreth orës 22’’, në rrugën ’’Siri Kodra” Tiranë, e mbetur në tentativë;
3. Vjedhje me dhunë e pasurisë së Lirak Bajraktari më datë 22.02.2011 rreth orës 08’’ në qytet Elbasan;
4. Vjedhja me dhunë e pasurisë së Skënder Rroshi më datë 28.04.2011 në lagjen nr.4, Kavajë;
5. Vrasja me paramendim e Elvis Dedaj më datë 05.06.2012 rreth orës 17:58’’ në lagje nr.13, Durrës, tek hyrja e Restorant “Xhenova”;
6. Vjedhja me armë e pasurisë së Xhemali Liçi më datë 19.12.2012 në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit;
7. Vjedhja me dhunë e banesës së Hamit Haxhiut më datë 11 Shkurt 2013 rreth orës 04:45’’ në lagjen Popullore (Shijak);
8. Vjedhja me dhunë e pasurisë së Astrit Ademit më datë 31.05.2013 rreth orës 15:10’’ në fshatin Marikaj (Vorë);
9. Vrasja me paramendim e Fatmira (Habili) Dedaj më datë 14.09.2013 rreth orës 13:30’’ në lagjen nr. 4, në Durrës, në garazhdin e një pallati;
10. Vrasja me paramendim e Arben Islam Çeta, më 14.11.2013, rreth orës 22, në shesh parkimin e bar restorant ‘’Balla’’, në Labinot- Fushë (Elbasan), e mbetur në tentativë;
11. Vjedhja me dhunë e banesës së Hamdi Sharka më datë 20.04.2017 në fshatin Polizhan (Berat);
12. Vrasja me paramendim e Aredin Beharit më 05.11.2017, rreth orës 19’’, në lagjen “1 Maji”, tek kryqëzimi i ish Parkut (Fier), e mbetur në tentativë;
13. Vrasja me paramendim e Aredin Beharit më datë 03.04.2019, përballë magazinës “Autopassion”, në kryqëzim të parkut, rrugës në drejtim të QTU (Fier), e mbetur në tentativë;
14. Vrasja në rrethana cilësuese ndaj Agim Boriçit e Ilir Boriçit më datë 11.04.2018, rreth orës 11:30, në lagjen “8 Shkurti” të qytetit të Fierit, e mbetur në tentativë;
15. Vrasja në rrethana cilësuese e Andi Zylyfit dhe plagosja e Ardit Uruçit më datë 13.12.2019, rreth orës 18:36, në rrugën nacionale Peqin-Elbasan;
16. Shkatërrim me eksploziv i pronës së Mustafa Subashi më datë 29.01.2020, rreth orës 20:45, kati i parë i një ndërtese të banuar në afërsi të disko “Colombo”, (sektori Teuta), Durrës;
17. Dhuna në familje, ndaj bashkëshortes Blerta Bengasi, ndodhur më datë 30.01.2020, rreth orës 11:30’, në rrugën Mihal Grameno, Tiranë;
18. Vrasja në rrethana cilësuese e shtetasve Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia, më datë 02.03.2020, ora 19:00, në lagjen 14, Durrës;
19. Vrasja në rrethana cilësuese e vëllezërve Besmir Haxhia e Viktor Haxhia më datë 27.04.2020, rreth orës 16.35, në vendin tregu i mjeteve në Shën Vlash, Durrës;
20. Vrasja me paramendim e Emiljano Ramazanit më datë 20 Korrik 2020, në lagje 28 Nëntori, Elbasan;
21. Vrasja me paramendim e Regis Runaj më datë 29 Korrik 2020, rreth orës 22:00, në lagjen “Emin Matraxhiu”, në vendin e njohur ‘’Belebej’’, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan;
22. Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari, para datës 30 Korrik 2020, në Elbasan;
23. Vrasja me paramendim e Bujar Çelës, më datë 17.09.2020, rreth orës 05:40, në afërsi të rrethrrotullimit të Bradasheshit (Elbasan);
24. Shkatërrim me eksploziv i pronës së Talo Çelës më datë 05.11.2020, rreth orës 04:20, në fshatin “Katund i Ri”, Njësia Administrative Bradashesh, Elbasan;
25. Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasjen e Indrit Dokles në muajt Prill\Maj të vitit 2022, në Tiranë;
26. Vrasje me paramendim e shtetasit Lulzim Masha, më datë 18.01.2022, rreth orës 09:40, në rrugën “Hiqmet Buzi”, pranë Liqenit Artificial (Tiranë), e mbetur në tentativë;
27. Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike\ oficerit të policisë gjyqësore Leonard Palushi
Klan News