Sot ajo është një koreografe dhe një balerinë profesioniste, por teksa kujton fillimet e saj, Olta Ahmetaj rrëfen se nuk ka qenë aspak e lehtë. Në studion e “Rudina” ajo tregon se ka dashur që të hiqte dorë nga baleti dhe të mos konkurronte në Akademinë e Arteve.
Megjithëse baletin e kishte pasion për të cilin ishte ushtruar që në vegjëli, eksperiencat me mësuesit, egoja dhe xhelozia në gjimnaz e kishin bindur që të hiqte dorë nga ëndrra e madhe për të “pushtuar” skenat gjigante të operave dhe shfaqjeve.
Teksa rrëfen me nostalgji Olta Ahmetaj shprehet se ka qenë pikërisht babai i saj ai i cili e bindi që të vazhdonte rrugët të cilën kishte vite që e kishte nisur, për të atin balerina e njohur shpreh falenderimet më të përzemërta.
Olta Ahmetaj: Unë personalisht nuk do të isha sot koreografe ose balerinë nëse nuk do të më kishte ndikuar im atë në një moment të caktuar të jetës sime.
Rudina Magjistari: Si ka ndodhur?
Olta Ahmetaj: Ka pasur disa ngjarje në vazhdimësi, duke marrë parasysh që shkolla e baletit fillohet që në moshë të vogël dhe vazhdohet për vite me radhë. Dhe praktikisht janë shumë vite që të formojnë, të vrasin, të gëzojnë, të mësojnë dhe disiplinojnë. Baleti i ka të gjitha format e mundshme të emocioneve. Gjatë këtyre viteve unë kam pasur dhunti në vizatim teknik dhe kam qenë shumë e mirë në matematikë e në fizikë, gjë që rrallë ndodh tek pjesa e baletit sepse mësimet i kishim të reduktuara duke pasur parasysh që i jepet rëndësi formimit artistik. Nga e gjithë ajo periudha e gjimnazit ti përballesh me shumë situata negative, me shumë ambicie, ego, përfshirë këtu dhe ambicie të mëdha të mësuesve me nxënësit jo vetëm të nxënësve me njëri-tjetrin.
Rudina Magjistari: Ja kjo gjë nuk më kishte vajtur ndonjëherë në mendje se kishte konkurrencë edhe xhelozi profesionale mes mësuesit dhe nxënësit.
Olta Ahmetaj: Sidomos në shkollën e baletit që është vetëm një.
Leonard Olli: Është e frikshme madje.
Olta Ahmetaj: Gjithë ideja është që ti mbaron shkollën e lartë, në moshën 22 ose 23 vjeç je i gatshëm për punë. Duke qenë një shkollë në të gjithë Shqipërinë ti je konkurrent direkt dhe shumë shpejt madje. Kam parë shumë situata të tilla gjatë periudhës së gjimnazit, pra ka qenë ajo situata që ne ishim të ndrydhur në një farë forme dhe nuk më pëlqeu më. Isha me nota të mira dhe kisha pasur disa situata personale. U them atyre të shtëpisë “nuk dua të vazhdoj Akademinë e Arteve”, duke u thënë dhe arsyet për të cilat dhe ata ishin në dijeni normalisht sepse kisha pasur 2-3 vite rresht probleme të tilla. Kisha aq kohë që u thoja “ju lutem më gjeni një profesor matematike sepse unë dua të konkurroj në inxhinieri ndërtimi”. “Pse për çfarë e do,” më tha babi, “por të paktën ju të dy jeni inxhinierë ndërtimi dhe unë një rrugë të shtruar do e kem, sepse kështu nuk di nga t’ia mbaj”, në rrugën e artit unë kam qenë praktikisht vetëm sepse asnjë nga familjarët e mi nuk ka lidhje me artin. Aty në atë moment është ulur im atë, si rrallë herë, ulej vetëm kur e shihte pikën kritike. “Në momentin që ke filluar baletin sa vjeç ke qenë,” më tha, “7 vjeç” i thashë, “sa je sot”, “19 vjeç i thashë”, “po a nuk është gjynah që gjithë këto vite t’i hedhësh në plehra kot, më mirë mbaroje dhe Akademinë e Arteve se e katër vjet janë, se inxhinieria e ndërtimit aty është” dhe biem dakord. Në momentin që u futa në Akademinë e Arteve përveçse fillova disa punë rresht që më mbushën jashtëzakonisht shumë si balerinë, në vit të dytë fillova punë dhe si koreografe të eksperimentoja me gjëra të vogla dhe ajo më mbushi akoma më shumë. Nga fundi i vitit të parë më erdhi një ofertë, një bursë talenti nga Universiteti Europian i Tiranës, duke pasur parasysh të gjitha këto punët që po bëja e pranova, një shkollë të dytë doja ta bëja gjithsesi. Thashë “ok po i futem kësaj” dhe harrova inxhinierinë e ndërtimit./tvklan.al