Policia e Vlorës ka goditur një rast tentative të shitjeve të armëve të zjarrit në mënyrë të jashtëligjshme. Në pranga ka rënë një 17-vjeçar pasi në taksinë ku udhëtonte i është gjetur një automatik dhe dy krehra. Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe 19-vjeçari E.GJ., i cili dyshohet se i ka siguruar të miturit armën e zjarrit.

Uniformat blu bëjnë me dije se gjatë kontrollit në banesën e 19-vjeçarit është sekuestruar një krehër arme dhe gjithashtu arma e zjarrit dhe dy krehra që gjendeshin në sendet personale të 17-vjeçarit.

 “Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Fier-Vlorë”, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga një 17-vjeçar, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e një automjeti taksi, të cilin ky shtetas e kishte marrë për të udhëtuar drejt Vlorës, mes sendeve të tij personale, u gjet një armë zjarri automatike dhe dy krehra.               

Në vijim  të veprimeve për këtë rast u shpall në kërkim shtetasi E. Gj., 19 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me 17-vjeçarin, për të siguruar armën e zjarrit, me qëllim shitjen në qytetin e Vlorës. 

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit E. Gj., u gjet një krehër arme, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit (pushkë automatike) dhe dy krehrit që transportonte 17-vjeçari.   

Vijon puna për kapjen e shtetasit E. Gj. dhe për dokumentimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

/tvklan.al