Pogradeci mikpriti për të 15 vit Koloninë ndërkombëtare të artit viziv. 22 piktorë nga Ballkani si dhe nga Polonia, Britania e Madhe, Iraku dhe vende të tjerë hodhën në telajo bukuritë e peizazhit të qytetit liqenor, por edhe portrete të spikatur ku ndërthuren teknika dhe rryma të ndryshme tradicionale dhe moderne.
Piktorja Marjana Goxhabelliu vlerëson se në një vend si Pogradeci, peizazhet janë unikë dhe nuk mund të gjenden askund tjetër.
Jola Kitkowska nga Polonia dhe Lina Sami, me origjinë irakiano-angleze, kanë mbetur të mahnitura nga gjithçka kanë mundur të shohin dhe zbulojnë në Pogradec.
“Është hera ime e parë këtu dhe jam shumë e surprizuar nga ky vend i bukur. Ky qytet të jep ndjesinë e paqes dhe qetësisë. Në këtë ekspozitë kam sjellë pikturën e një gruaje surreale, pasi më pëlqen të miksoj realitetin dhe imagjinatën si një botë ëndërrimi”, tha Kitkowska.
“E kam vizituar Shqipërinë që në vitin 2018, dhe rikthehem çdo vit gjatë periudhës së verës dhe qëndroj këtu. Kam marrë pjesë edhe më parë në këto aktivitete kështu që nuk jam e huaj në këtë qytet. Kam dy piktura të ekspozuara sot, të cilat janë kombinime të rrënjëve të mia dhe artit modern”, tha Sami.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë.
Tv Klan