Lajme Arkiva – TV Klan 2001
Policia ndaloi sot Fatmir Metën, ish-shefin e komisariatit të policisë të Tropojës dhe Isamedin Haxhinë, vëllain e ish-badigardit të presidentit Berisha, Ismet Haxhia. Sipas burimeve nga Ministria e Rendit, ata janë akuzuar zyrtarisht, për implikim në vrasjen e Azem Hajdarit, natën e 12 Shtatorit të vitit 1998. Operacionet e mbajtura tepër sekrete, janë realizuar në mëngjesin e ditës së sotme nga skuadrat speciale të policisë.
Fatmir Meta është akuzuar fillimisht nga Partia Demokratike, pasi makina e tij me targën Vlorë, ka qenë në vendin e ngjarjes natën e krimit dhe ka transportuar disa nga të akuzuarit, si ekzekutor të Hajdarit. Vetë Meta ka shkuar në PD dhe e ka sqaruar pozicionin e tij, duke deklaruar se ai nuk ka pasur dijeni, dhe nuk ka marrë pjesë në atentat, por ai ka pranuar se çelësat e makinës së tij janë marrë nga Jaho Salihi dhe Fatmir Haklaj.
Ndërsa për Isamedin Haxhinë PD i referohet dëshmive të Sali Lushës, duke e akuzuar atë se ndodhej atë natë në njërën nga makinat e krimit. Vëllezërit Haxhia, e kanë mohuar publikisht pjesëmarrjen e tyre në atentat dhe kanë akuzuar strukturat e PD dhe liderët e saj, se kanë qenë të interesuar për vrasjen e Hajdarit. Megjithatë pas dy ditësh do të jetë gjykata e faktit ajo që do të vlerësojë masën e arrestit për dy të ndaluarit e sotëm./tvklan.al
Gazetare – Mirela Milori