Pas tre muajsh hetimesh shërbimi i kontrollit të brendshëm ka mundur të zbulojë lidhjet e Dritan Dajtit me punonjës të policisë së shtetit.

Informatori i Dajtit në polici gjatë kohës që ai ishte në arrati ka qenë Mariglen Muça, me detyrë inspektor krimesh në drejtorinë e policisë së Durrësit.

Zbulimi është bërë përmes të dhënave të tabulateve telefonike. Muça mbante kontakte të vazhdueshme me Dajtin dhe e informonte atë mbi lëvizjet e forcave të rendit.

Dyshimet se Dajti kishte informatorë në polici nisën pas vrasjes së katër oficerëve të policisë në Gusht në Durrës.

Mariglen Muça është vënë në pranga nga oficerët e SHKB-së në drejtorinë e policisë ku ai shërbente si inspektor i Krimeve të Hapura.

Nuk është ende e qartë nëse ai ka informuar Dritan Dajtin edhe për operacionin e 7 Gushtit, por dyshimet janë të forta pasi ai mbulonte zonën e plazhit, aty ku edhe ndodhi përplasja e të shumëkërkuarit me forcat e grupit të operacioneve speciale në drejtorinë e përgjithshme të policisë.

Megjithatë burime të policisë bëjnë me dije se ai i kalonte Dritan Dajtit çdo informacion prej të paktën tre vjetësh, kohë kur ai ishte emëruar me detyrën e inspektorit në Durrës.

Gjithashtu nuk është e qartë nëse Muça është i vetmi bashkëpunëtor i Dajtit ne polici.

Në përplasjen e 7 Gushtit mes policisë dhe Dritan Dajtit në afërsi të pistës Iliria në plazhin e Durrësit mbetën të vrarë efektivët e policisë, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feska dhe Saimir Duçkollari./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro