Policia e Durrësit ka zbuluar brenda një kohe rekord autorët e vrasjes së kambistit, Agush Hyzoti.
45-vjeçari u ekzekutua pasditen e djeshme me armë zjarri në afërsi të banesës së tij. Sot policia ka ndaluar tre persona, të cilët kanë pranuar autorësinë e kësaj ngjarjeje.
Bëhet fjalë për Luiz Vangjelin, 26 vjeç nga Durrësi e Marvin dhe Kevin Ranxën nga Elbasani, përkatësisht 25 dhe 31 vjeç.
Gjetja e armës së krimit, një automatik tip kallashnikov dhe motori që u përdor në këtë vrasje ishin provat që çuan në zbulimin e autorëve dhe arrestimin e tyre në një kohë të shkurtër.
Vangjeli u prangos në qytetin bregdetar, ndërsa dy të tjerët në Elbasan pas një koordinimi të suksesshëm të strukturave të policisë në Durrës dhe Elbasan.
Po kështu me mbledhjen e provave të pakontestueshme, të cilat çuan dhe në pranimin e autorësisë nga të arrestuarit pa kaluar 24 orë nga kjo ngjarje policia ka mundur të zbardhë edhe motivin e krimit.
Sipas drejtuesve të uniformave blu në qytetin e Durrësit tre personat e kanë vrarë kambistin 45-vjeçar për t’i grabitur shumën e parave që ai kishte me vete.
Atij i janë marrë 20 mijë euro dhe 1 milion lekë para të gjetura pas arrestimit të vrasësve. Autorët do të njihen shumë shpejt me masën e sigurisë dhe do të përballen me akuzën e vrasjes, armëmbajtjes pa leje dhe atë të grabitjes së pasurisë, çka do t’u kushtojë disa vite burg./tvklan.al