Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Policët grek kanë ekzekutuar emigrantin shqiptar me një plumb në kokë. Grekët kanë dhënë versionin e tyre, lidhur me vrasjen e emigrantit shqiptar Vullnet Bytyçi, por nuk e kanë fshehur dot se ku e ka zënë plumbi shqiptarin. Këtë gjë e bënë të ditur burime të policisë lokale në Korçë, të cilët mëngjesin e sotëm zhvilluan një takim me drejtuesit e policisë së Follorinës, për këtë problem.
Në këtë takim, policia greke sqaroi rrethanat. Sipas grekëve, ngjarja është cilësuar si incident, kurse vrasja aksidentale. Gjithashtu policia shqiptare u njoftua edhe për arrestimin e policit grek që qëlloi mbi emigrantin. Pala shqiptare u informua nga homologët grekë, se emigranti është qëlluar me plumb në kokë. Policia greke thotë, se polici kuitar kishte qëlluar në ajër vetëm sa për ta trembur emigrantin dhe vetëm kur plumbi po binte drejt tokës e zë në kokë atë.
Grekët kanë pranuar gjithashtu, se askush prej emigrantëve nuk ka qenë i armatosur që mund të përbënte një shkak për këtë vrasje. Vullnet Bytyçi u qëllua nga policët kufitarë, ndërsa katër shokët e tij janë arrestuar dhe pritet të dalin para një gjykate lokale në Greqi, vetëm pse kanë kaluar kufirin grek në kërkim të një pune për të mbijetuar.
Askush nga autoritetet lokale në Koçë nuk e ka komentuar këtë dhunë të njëpasnjëshme të policëve grekë ndaj emigrantëve shqiptarë javën e fundit./tvklan.al