Forcat Speciale të Policisë grisin posterat e lëvizjes “MJAFT”. Një fugon policie ka ndalur në orët e paradites, përpara murit ku vetëm gjysmë ore më parë të rinjtë e “MJAFT”-it kishin ngjitur posterat që lajmëronin protestën e madhe të ditës së shtunë. Policët e Speciales, pasi kanë grisur gjithçka duke lënë provat e përleshjes me posterat në trotuar, kanë ndaluar dhe kanë shoqëruar për në komisariat Dorian Veliun,një nga të rinjtë e “MJAFT”-it.
Kryetari i lëvizjes “MJAFT” Erion Veliaj phon se presioni i shtetit është rritur shumë përpara protestës së madhe popullore që kjo lëvizje do të organizojë ditën e shtunë për të kërkuar dorëheqjen e ministrit të Transportit Spartak Poçi pas aksidentit të Fushë-Arrëzit dhe për të treguar papërgjegjshmërinë e kryeministrit Nano i cili, në ditën e zisë kombëtare për humbjen e të rinjve kosovarë, festonte në Greqi në një lokal nate.
Erion Veliaj: “Ndërkohë që kompani dhe fugonë të policisë, Forca të Ndërhyrjes së Shpejtë angazhohen kaq agresisvisht në grisjen e posterave të “MJAFT”-it, themi vaj medet ku jemi me taksat tona që i paguajmë policisë. Nuk është se s’kemi probleme me krimin apo me qarkullimin rrugor ku po vdesin njerëz çdo ditë. Kjo tregon një shenjë nervoziteti, fakti që tatimet vijnë menjëherë pasi kanë ardhur dy ditë; është prap një shenjë nervoziteti fakti që policat na drejtojnë dhe ku ecim në rrugë tregon që nuk po mban më ujë kjo situatë.”
Veliaj shprehet se, me gjithë presionin që po ushtrohet mbi ta, ata janë të vendosur për të vazhduar protestën e tyre të radhës.
Erion Veliaj: “Kemi një arsye shumë të fortë për të protestuar nesër: një është për çështjen e gjendjes së qarkullimit rrugor. Është fatkeqësi që në Shqipëri vdes mesatarisht një person në ditë, ndonjëherë më shumë se sa vdesin Në Irak ndonjë ditë të bukur. Është në interesin tonë të rregullojmë sistemin e rrugëve dhe të kërkojmë dorëheqjen e zotit Spartak Poçi. Ka qenë krejtësisht i papërgjegjshëm në mënyrën se si ka siguruar qytetarët nëpër rrugët e Shqipërisë dhe po kështu të kryeministrit Nano. Besoj që shumica e qytetarëve të Shqipërisë duan të ruajnë dinjitetin e tyre dhe nuk duan të ndajnë një turp me një person kaq të papërgjegjshëm. Nëse përgjigjja është: “unë bëj atë që bëjnë gjimnazistët”. ky është edhe problemi, kemi një kryeministër që ende mendon dhe funksionon si një gjimnazist, qoftë nga targat e makinës, apo mënyra se si qejfloset.”/tvklan.al