Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, kreu i grupit parlamentar, Gazmend Bardhi dhe sekretari organizativ, Ervin Minarolli janë vënë në hetim nga policia lidhur me protestën e zhvilluar pasditen e së hënës nga opozita. Sipas uniformave blu, përfaqësuesit politik të selisë blu akuzohen për organizim e pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme.
Krahas tyre, policia vuri në pranga një 57-vjeçar nga Tirana, i cili akuzohet se ka goditur punonjësit e policisë si dhe ka përdorur lëndë piroteknike gjatë protestës së zhvilluar.
Po për të njëjtat akuza në kërkim u shpallën dhe 9 persona të tjerë, pjesë e tubimit të PD, të cilët janë identifikuar nga policia se kanë kryer akte të dhunshme ndaj uniformave blu, institucioneve publike, tabelave të reklamave apo kanë djegur kazanë më lëndë piroteknike.
Mes të shpallurve në kërkim, është dhe një i mitur. Por ai nuk duket se ka qenë i vetmi që është përfshirë në aktet e dhunshme, siç uniformat blu i cilësojnë.
Këta të fundit po mbi këto dyshime, kanë vënë në hetim dy vëllezër të moshës 16 dhe 17 vjeç si dhe babain e tyre, të cilët kanë hedhur lëndë djegëse në drejtim të policisë.
Një pjesë e këtyre mjeteve u gjetën dhe sekuestruan gjatë kontrolleve të kryera në rrugët ku u regjistrua protesta, në të cilën mbetën të dëmtuar disa efektivë. Konkretisht bëhet fjalë për 10 punonjës policie, 3 prej të cilëve vijojnë të trajtohen në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Tv Klan