Bllokohen nga Policia Tatimore dega Tiranë dy pika karburanti të cilat kishin mangësira në dokumentacionin e nevojshëm për ushtrim të aktivitetit. Vetëm gjatë ditës së sotme janë ushtruar kontrolle nga kjo polici në 4 pika ku tregtohej karburant, ndërkohë që aksioni ka nisur prej më tepër se një jave.
“Përveç licensimit nga organet tatimore, kontrollojmë dhe mbajtjen e llogarive, dokumentimin e gjithë sasisë së lëngut që ky ka këtu dhe shitjen, mënyrën si kryhen shitjet, mbajtjen e llogarive dhe shitja e karburantit deri në momentin e fundit te klienti.”
Sipas përgjegjësit të Zyrës Rajonale të Policisë Tatimore të Tiranës, tregtuesit e karburanteve nuk i pajisin drejtuesit e automjeteve me kupona tatimorë. Në të gjitha rastet kur është evidentuar një shkelje e tillë janë vendosur gjoba që variojnë nga 30 000 deri në 50 000 lek. /tvklan.al