Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Politikanët e kanë përkujtuar sërish të ndarë dhe larg njëri-tjetrit Ditën e Dëshmorëve. Të majtët kanë nxituar që në 20 minuta të vendosin kurora, të përkulen me respekt pranë Monumentit “Nën Shqipëri”, për t’u lënë vend përfaqësuesve të opozitës.

Kryeparlamentari Servet Pëllumbi dhe zv/kryeministri Dokle, kanë udhëhequr ceremonitë shtetërore. Ndërkaq, 5 Maji ka gjetur larg vendit kreun e shtetit Moisiu, i nisur prej dy ditësh për kurim në klinkat e Turqisë, ndërsa kryeministri Nano vazhdon vizitën zyrtare në Greqi.

Servet Pëllumbi: “Ky popull dhe ky vend ka bërë sakrifica të mëdha dhe asnjëherë nuk mund të harrojë kujtimin e tyre”.

Sali Berisha: “Ne përulemi me nderim të madh para të gjithë atyre, që në dekada dhe shekuj derdhën gjakune  tyre, sakrifikuan jetën e tyre për identitetin kombëtar, për lirinë kombëtare, për pavarësinë e Shqipërisë”.

Hysni Milloshi: “Sigurisht gjithë politikanët duhet të jenë këtu, të bien në gjynjë përpara tyre dhe të paktën një ditë në vit të mendojnë se kanë tradhëtuar gjakun e dëshmorëve të lirisë, gjakun dhe idealet e Qemal Stafës, idealet e të gjithë atyre që ranë”.

Të rënët në Luftën Antifashiste janë përkujtuar nga si çdo vit me lot në sy nga familjarët. Edhe për ta mënyra se si politikanët përkujtojnë dëshmorët duket e çuditshme. Pas homazheve në varrezat Dëshmorët e Kombit, lideri demokrat është pritur nga familjarët e liderit të Dhjetorit Azem Hajdari./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame