Presidenti i republikës, Bamir Topi, ka zgjedhur shkollën 9-vjeçare, “Naim Frashëri” në Elbasan për t’u uruar nxënësve dhe mësuesve fillimin e vitit të ri shkollor.

Ai u shpreh se arsimi është futur në një fazë të re dhe për këtë kërkohet një dinamikë e re.

Bamir Topi: “Jo rastësisht kam zgjedhur Elbasanin. Së pari, si vatër të kulturës të arsimit shqip dhe së dyti për vetë simbolikën e këtij viti për ju që jeni në prag të kremtimit të 100-vjetorit të shkollës tuaj si një shkollë që ka mbajtur me dinjitet emrin e rilindasit tonë të shquar, Naim Frashëri”.

Ministri i Kulturës, Ylli Pango, ka ndarë së bashku me nxënësit e shkollës së mesme artistike, “Prenk Jakova”, dhe shkollës së gjuhëve të huaja, “Shejnaze Juka” në Shkodër emocionet e ditës së parë të shkollës.

Në fjalën e tij ai theksoi se arsimi mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare.

Ylli Pango: “Shkolla juaj është vetëm një nga shembujt e shumtë të transformimeve të mëdha që ka bërë qeveria shqiptare edhe në fushën e arsimit. Mjaftojnë shifrat prej 880 shkollash të rikonstruktuara dhe të ndërtuara nga e para, nga të cilat 140 janë krejtësisht të reja.”

Bashkë me shiritin e inaugurimit të shkollës së mesme profesionale mekanike në Lushnje Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka uruar nxënësit një vit sa më të mbarë duke theksuar se arsimi profesional po i kushtohet një vëmendje e veçantë.

Majlinda Bregu: “Keni zgjedhur që të formoheni në një rrugë të trajnimit profesional, dhe të formimit profesional. Nevoja për të patur një arsim profesional sa më të mirë dhe sigurisht për t’oi larguar disi tendencës vetëm të arsimit të përgjithshëm është gjithmonë edhe më e madhe.”

Anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar kanë marrë pjesë në ceremonitë e hapjes së vitit të ri shkollor në të gjithë vendin./tvklan.al