Fatos Nano: “Do të kishim kapur trenin evropian para rënies së murit të Berlinit”.
Blendi Fevziu: “Dhe Shqipëria s’do të kishte qenë kjo që është sot padyshim”.
Fatos Nano: “Dhe padyshim nuk do kishte nevojë për çarjen e ambasadave”.
Mbrëmjen e së enjtes në emisionin opinion të gazetarit Blendi Fevziu rrëfeu jetën e tij një nga personazhet më të rëndësishëm të 20 viteve të fundit në politikën shqiptare, Fatos Nano.
Ky rrëfim i parë i këtij lloji tërhoqi vëmendjen maksimale të audiencës. Përreth 1 orë e 30 minuta në këtë pjesë të parë, e cila javës së ardhshme do të pasohet nga seria e dytë ish kryeministri Fatos Nano u ndal tek fëmijëria, lagjen ku ishte rritur, një periudhë që vite më pas do ta lëshonte në jetën publike, marrëdhëniet e Nanos me të atin, nënën dhe miqtë e tij, aktorët politikë të kohës, gjykimi për këta të fundit, eksperiencat e para jashtë vendit, padyshim studimet e tij, burgu i Bënçës e të tjera u rrokën rrëmujshëm mes njëra-tjetrës, por me aftësinë artikuluese që këtë personazh e karakterizon.
Fatos Nano: “Kishte 1001 gjëra që sot je në gjendje t’i klasifikosh dhe t’i formulosh si pakënaqësi apo…”.
Blendi Fevziu: “Kurse atëherë ishte si…”.
Fatos Nano: “Rezerva për politikën zyrtare.”
Blendi Fevziu: “Po”.
Fatos Nano: “Sepse është jeta e përditshme. Ka qumësht, s’ka qumësht. Më dënoi zysha të rri me një këmb të cepi i klasës”.
I pyetur se përse disa mendojnë ose kam përshtypjen se Nano ishte nga të preferuarit e Ramiz Alisë, ish kryeministri përgjithëson duke thënë:
Fatos Nano: “Historia e fundit të viteve ‘80 dhe viteve ‘90 është shumë më intensive se gjithë historia e pesëdhjetë vjetëve të komunizmit”.
Blendi Fevziu: “Po”.
Fatos Nano: “Dhe për pasojë dominon me ngjarje, që ka krijuar efekte, që do të thotë unë kam punuar rreth e rrotull institucioneve të komitetit qendror. Keni parasysh do të thotë edhe metalurgji.”
Studion Ekonomi Politike, një degë për të cilën i ati vite më parë i kish shpjeguar se ishte zanati i Marksit, por duke e konsideruar këtë një pjesë vendimtare të jetës së tij tashmë në vitin 2010 ai arrin në konkluzionin se:
Fatos Nano: “Xhiro dola. Nuk arrita të kuptoja asgjë. Bile mos ngulni këmbë të më thoni nëse kam kuptuar ndonjë gjë edhe më vonë”.
Biseda u fokusua jo pak edhe në zhvillimet politike për aq sa ato mund të quhen të tilla, të cilat kërkonin domosdoshmërish që të ishin në kohezion edhe me drejtuesit e regjimit komunist, po a e kuptonin realitetin shqiptar njerëz si ish kryeministri Adil Çarçani apo njohur në gjuhën popullore si Tao Tao?
Fatos Nano: “Fatmirësisht Shqipëria është zhvilluar në mënyrë të jashtëzakonshme që nga ajo kohë. Fatmirësisht ne jemi në gjendje ta analizojmë edhe me personazhe të asaj periudhe, me një logjikë tjetër gjithçka dhe jo me logjikën e emergjencës.”
Blendi Fevziu: “Po”.
Fatos Nano: “Por më duhet të jem i sinqertë për të pohuar refleksionet e mia të kohës, që kjo gjë ishte shumë e kuptueshme për të gjithë, por ishte shokante për shkak të paaftësisë për ta parashikuar dhe për të marrë masat që kjo situatë mos vinte të udhëheqjes komuniste”.
Personazhet më piktoreskë të asaj kohe, njohja që Fatos Nano apo familja e tij kish me ta si për shembull Maks Velo apo kontakte që vite më vonë krijoi me Gramoz Ruçin.
Fatos Nano: “Unë jam nga fshati, po unë jam lerë dhe rritur në Tiranë, Gramozi është nga Tepelena. Njohja e parë me të ka qenë unë shkova për një grup pune që do studionte gjendjen e tregut të ekonomisë të fshatit në Tepelenë, diku nga ‘88-ta, dhe Gramozi është sekretar i propagandës. Ku më prishnin mua sekretarët e parë, s’isha niveli i tyre unë dhe ky sekretari i propagandës, ky labi Gramozi ka pas tangërllik që atëherë nuk më pret dhe më nxjerr një instruktor dhe unë i them do vijoj të bëj detyrën apo të kthehem mbrapsht dhe ta gjejë belaja atë që s’priti ata që e kanë dërguar”.
Nano gjatë rrëfimit të tij u ndal edhe tek marrëdhëniet e prishura me Gjermaninë, për të cilat deklaron se trenin drejt Evropës do ta kishim marrë që në atë kohë duke e konsideruar një shans të humbur.
Fillimi i pluralizmit dhe përse nuk hyri në Partinë Demokratike, ashtu sikurse foli dhe për ardhjen në krye të qeverisë më 25 Shkurt të vitit 1991 ku pa se rezervat valutore të shtetit ishin vetëm 8 milionë dollarë./tvklan.al
Gazetar: Drini Zeqo