Në dispozicion të Fondit Shqiptar të Zhvillimit do të vihet edhe një shumë tjetër prej 180 milionë dollarësh për vijimin e projektit për ndërtimin e rrugëve rurale në vend.

Financimi është shqyrtuar sot në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Fondit, kryetari i të cilit është ministri i Shtetit, Genc Pollo.

Bëhet fjalë për një hua të butë që vjen për qeverinë shqiptare nga bankat zhvillimore të Evropës.

Ministri Pollo tha se kjo është huaja e dytë e siguruar pas financimit të parë prej 107 milionë dollarësh.

Genc Pollo: “Ne do shqyrtojmë financimin e dytë që jepet për programin e rrugëve lokale dhe dytësore dhe që është në vlerën prej 180 milion dollarësh i dhënë në formë grandi dhe qiraje të butë nga Bashkimi Evropian dhe nga bankat zhvillimore. Ky është financimi i dytë pas atij të parit në vlerën 107 milionë dollarë në të cilën janë realizuar apo janë duke u realizuar 304 km rrugë dytësore lokale në të gjitha qarqet e vendit. Psh në Kukës, Peshkopi është rruga Peshkopi- Kalaja Dodës-Kukës, është rruga Ura e Goricës- … në qarkun e Beratit, është rruga Lezhë-Vau i Dejës në qarqet Shkodër dhe Lezhë.”

Projekti për ndërtimin e rrugëve rajonale dhe lokale ka nisur nga qeveria shqiptare në vitin 2008 dhe pritet të përfundojë brenda 2013, me një rezultat prej plot 1500 kilometrash rrugë të reja në zonat më pak të zhvilluara të vendit, çka do të përmirësojë cilësinë e jetës së banorëve dhe do të nxisë zhvillimin ekonomik në këto rajone rurale.

Projekti, i cili ka një kosto totale prej rreth 400 milionë dollarësh, ka gjetur përkrahjen nga 8 donatorë ndërkombëtarë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro