Zëvendës kryeministri Genc Pollo është takuar me banorë të komunës Cukalat në Berat ku ka folur mbi çështje të ndryshme që shqetësojnë banorët. Duke u ndalur kryesisht tek dhënia e certifikatave të pronësisë, Pollo takoi kryebashkiakun Rama që sipas tij u premton banorëve tapitë e marra që në vitin 1991.
Genc Pollo: “Keni regjistruar si pronë të patundshme tokën bujqësore në mënyrë që të dispononi dhe ta përdorni si t’ju leverdisë në tregun aktual. Ju sot jeni të sigurt me certifikatën e pronësisë në dorë , kjo është një arritje e rëndësishme, bazë zhvillimi dhe pasurimi. I vetmi që nuk e di këtë është Edi Rama, i cili kur viziton fshatrat premton të japë tapitë e marra që në vitin 1991. Rama nuk po del dot nga kulla e mohimit.”
Me tej zëvendës kryeministri Pollo foli dhe për investimet e kryera nga qeveria e djathtë në këtë komunë. Sipas Pollos në mandatin tjetër qeverisës, ekzekutivi do të ketë prioritet të tij zhvillimin në zonat rurale, duke nisur nga investimet publike në infrastrukturë, kanalizime e shkolla./tvklan.al