Presidenti francez Macron ishte të enjten në Varshavë për të bindur Poloninë që të krijojnë një forcë mbrojtëse për Ukrainën. Tusk e refuzoi këtë kërkesë.


Presidenti francez Emmanuel Macron të enjten bëri thirrje për bashkëpunim të ngushtë midis Evropës dhe SHBA në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë me kushte të pranueshme nga Kievi.

Macroni foli në Varshavë pas një takimi me kryeministrin polak Donald Tusk.

“Ne duhet të punojmë shumë ngushtë me amerikanët dhe, natyrisht, me Ukrainën për të gjetur një mënyrë që merr parasysh interesat e Ukrainës, sovranitetin e saj, si dhe interesat e evropianëve dhe sigurinë e tyre”, tha Macroni.

Ai foli në mbështetje të “një paqe të negociuar nga ukrainasit dhe që u ofron atyre siguri e qëndrueshme”.

Macroni vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e koordinimit midis vendeve evropiane në formulimin e garancive të sigurisë për Ukrainën pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë.

Plane për një koalicion të vullnetarëve

Përfaqësuesit e disa vendeve të NATO-s kanë zhvilluar bisedime konfidenciale për javë të tëra se si mund të monitorohet një armëpushim i mundshëm i ardhshëm në Ukrainë, mësoi dpa.

Franca dhe Britania e Madhe po përgatisin plane për një koalicion të vullnetarëve që do të monitoronte ushtarakisht një armëpushim të mundshëm në Ukrainë.

Që nga fundi i vjeshtës, Macroni ka udhëtuar në Britaninë e Madhe, Skandinavi dhe në Shtetet Baltike për të gjetur partnerë për këtë trupë. Presidenti francez ka deklaruar se një prani e tillë mund të bëhet e nevojshme edhe nëse forcat e armatosura ruse depërtojnë linjat ukrainase dhe i detyrojnë mbrojtësit të tërhiqen.

Tusk kundërshton qartë pjesëmarrjen në një trupë për Ukrainën

Donald Tusku konfirmoi se mundësia e dërgimit të një kontigjenti ushtarak në Ukrainë ishte ngritur në takimin e tij me Emmanuel Macron, por saktësoi se “për momentin” Varshava “nuk parashikon asnjë veprim të këtij lloji”. Kjo ide ishte ngritur tashmë në shkurt nga kreu i shtetit francez, por nuk kishte fituar terren.

“Unë do të doja (…) të ndërpres spekulimet në lidhje me praninë e mundshme të trupave nga një vend ose një tjetër në Ukrainë pasi të jetë vendosur një armëpushim ose paqe. Presidenti (Macron) është i vetëdijshëm për këtë, ne kemi folur,” tha ai.

Në informacione të pakonfirmuara të mediave më parë thuhej se bisedimet mund të përfshinin konsiderata të tilla. Gazeta polake Rzeczpospolita citonte një ekspert nga Instituti Francez i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i cili tha se një mision mund të përbëhet nga pesë brigada me një total prej rreth 40.000 ushtarësh. Polonia mund të merrte komandën e njërës prej tyre.

Të martën Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz deklaroi se “dislokimi i ushtarëve polakë në Ukrainë aktualisht përjashtohet.”

Edhe pse tema “shfaqet në publikime”, nuk ka konfirmim të synimit për të vendosur trupa evropiane në Ukrainë, tha ai.

Tusku e bëri të qartë se Varshava ofron ndihmë ushtarake për fqinjin e saj dhe gjithashtu strehon qendrën më të rëndësishme logjistike për ndihmën ushtarake perëndimore për Kievin.

Për më tepër, ai vuri në dukje se vendi i tij vazhdon të investojë burime të konsiderueshme për të mbrojtur kufirin e jashtëm të BE dhe NATO-s me Rusinë dhe aleatin e saj Bjellorusinë, me 10.000 ushtarë polakë të stacionuar në kufi.

Vendosja e një kontigjenti ushtarak evropian mund të jetë “një nga garancitë” për një paqe të ardhshme me Rusinë, konfirmoi një zyrtar i lartë ukrainas për AFP. Është “një ide e evropianëve” dhe jo e Kievit, dhe Emmanuel Macron është “qartësisht lideri”, shtoi ai.

Përgatitja për Trump 2.0

Presidenti ukrainas sugjeron se ai është i gatshëm të presë përpara se të rimarrë zonat e pushtuara nga ushtria ruse (pothuajse një e pesta e vendit të tij). Por kjo kërkon garanci “efektive” të sigurisë nga aleatët e saj për të shmangur një sulm të ri rus në Ukrainë.

Disa liderë evropianë druhen se Trump do të përpiqet të ushtrojë presion ndaj Ukrainës dhe Rusisë në negociata, duke kërcënuar se do të ndërpresë ose do të rrisë ndihmën ushtarake për Kievin, nëse secila palë refuzon të negociojë./DW