Qindra njerëz u mblodhën në xhaminë Umajad në Damask për lutjet e para të së Premtes në Siri që nga rrëzimi i Asadit.

Kryeministri i ri i përkohshëm i Sirisë al-Bashir ishte i pranishëm në xhaminë Umajad të Damaskut ku u rrethua nga njerëzit.

Ky është namazi i parë i xhumasë në xhaminë Umajad pas 13 vitesh lufte brutale.

Udhëheqësi i Hayat Tahrir al-Sham, Ahmed al-Sharaa, i njohur gjithashtu si Abu Muhammed al-Jolani u ka bërë thirrje njerëzve që t’i bashkohen festës pa përdorimin e armëve. Nëpërmjet një video në rrjetet sociale ai u shfaq për herë të parë pa veshje ushtarake, por si një civil i thjeshtë.

Ndërkaq udhëheqësit rajonalë dhe ndërkombëtarë po konsultohen se si të ndihmojnë në stabilizimin e vendit. Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres është i shqetësuar për qindra sulme ajrore izraelite” në Siri.

G7 ka deklaruar se aleatët janë të gatshëm të mbështesin një tranzicion të rregullt drejt një qeverie gjithëpërfshirëse. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken gjatë një vizite në Turqi zhvilloi bisedime me presidentin Erdogan dhe ministrin e Jashtëm të Turqisë.

“Jemi shumë të përqendruar në Siri. Folëm se si Turqia dhe Shtetet e Bashkuara, dhe si partnerët e tjerë në rajon mund t’i mbështesin këto përpjekje për një tranzicion paqësor. Ekziston një marrëveshje që mbron të drejtat e njeriut, që ruan institucionet e shtetit dhe u ofron shërbime njerëzve. Gjithashtu refuzojmë çdo aleancë me grupet ekstremiste dhe sigurisht, që përbën kërcënim për fqinjët e Sirisë”.

Në fund të takimit Blinken u shpreh se në fokus të diskutimeve ishte edhe Gaza dhe një marrëveshje armëpushimi që do të silltë pengjet në shtëpi dhe domosdoshmërinë e Hamasit për t’i thënë po marrëveshjes.

Klan News