Nga e hëna do të lehtësohet lëvizja në disa zona në Shqipëri. Lajmin e dha kryeministri Edi Rama, ndërsa pasditen e kësaj të premteje ai ishte në një komunikim online me kryetarët e bashkive të këtyre zonave.

Zonat ku do të lehtësohen masat janë Qarku i Dibrës, ai i Gjirokastrës, Bashkia Divjakë, zonat e përbashkëta të bashkive Pogradec, Prrenjas, Librazhd dhe zonat e përbashkëta të bashkive Sarandë, Himarë, Konispol dhe Finiq.

Gjatë fjalës së tij me kryebashkiakët Rama tha se aktualisht qytetet e tyre po trajtohen si vende me risk të ulët, megjithatë nëse rregullat nuk zbatohen ato mund të kthehen në zona të kuqe.

Ai i bëri thirrje kryebashkiakëve që të marrin masa dhe të ndjekin nga afër zhvillimin e kësaj hapje. Sipas kreut të qeverisë, kjo hapje do na ndihmojë të kuptojmë si shkon dinamika për t’u vënë në funksion më pas edhe në qytete të tjera. Megjithatë gjatë komunikimit me kryebashkiakët, pati batuta mes tij dhe kryebashkiakut të Tepelenës Tërmet Peçi.

Edi Rama: Të lutem Tërmet se ti je i lëvizur shumë, duhet që të bësh çmos që kjo hapje të mos na turpërojë atje në Tepelenë me historira që pastaj na kthehen në zinxhirë epidemikë.

Tërmet Peçi: Urdhri jot zbatohet nuk diskutohet, këtu o Tërmet, o korona nuk bëhet fjalë. Dëgjo, këtu fashat e qeverisë janë plotësuar me përpikmëri një më një. Konkretisht sot vij nga Lobsi që është në kufi me Vlorën. Falë Zotit dhe falë masave që keni marrë ju nuk kemi asnjë rast. shpresojmë që me këto masa dhe nën drejtimi e Allahut të mos kemi asnjë rast. Besoj që Tepelena është model.

Edi Rama: Deri tani model jeni, por të lutem sepse hapja ka sfidat e veta. Këtu është e rëndësishme të punojmë me njerëzit, të komunikojmë me ta./tvklan.al