Atë që nuk e bënë vitin e shkuar kur u miratua buxheti i 2024, opozita e bëri sot me aktin normativ që qeveria ka sjellë në parlament për rishikimin e këtij buxheti.
Çështja që ka shkaktuar më shumë debate ishte kërkesa e qeverisë për të financuar nga buxheti i shtetit projektin për ndërtimin e portit në Porto Romano.
“Doli Rama në fillim dhe tha do ta bëj investim privat, pastaj do jetë me kredi. Në një moment tha dhe do ta bëj me të ardhurat e portit. E di që porti nuk ka këllqe ta bëjë këtë histori, ishte gënjeshtra tjetër”, tha Bylykbashi.
“Zanafilla e krijimit të Porto Romanos fillon në vitin 2009 nga qeveria juaj”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturë kërkon nga opozita të mos sulmojë një projekt, i cili është dhe rajonal, por që ka kërkuar dhe mbështetjen e NATO-s për të qenë në një pjesë dhe port ushtarak.
“Kjo retorika boshe me NATO-n, kundër zhvillimit nuk ka vlerë për t’u diskutuar”, tha Tabaku.
“Këtu preket interesi kombëtar dhe kjo nuk është një çështje për ta kthyer në një lojë politike”, tha Balluku.
Balluku përgënjeshtroi opozitën se kompania që do të ndërtojë projektin tjetër atë të portit turistik është përjashtuar nga të gjitha taksat.
“Nuk ka asnjë përjashtim nga taksat përveç taksës së infrastrukturës”, tha Balluku.
Në aktin normativ për rishikimin e buxhetit është parashikuar një mbështetje përmes instrumentit të garancisë shtetërore për industrinë fasone, si dhe shpenzimet për 2 ministritë e reja, atë të Ekonomisë, Inavacionit e Kulturës si dhe ministrinë Antikorrupsion.
Tv Klan