Ditën e sotme është hapur gara për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano. Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, e cila ishte e pranishmë në këtë aktivitet gjatë fjalës së saj u shpreh se ky projekt do të ketë një impakt shumë të rëndësishëm në ekonominë e vendit.

Ndër të tjera Sako iu drejtua kryeministrit Rama duke i thënë që portet duhet të shihen si një potencial edhe për qytetarët. Kryetarja e bashkisë gjithashtu theksoi se spostimi i portit nga qendra e qytetit drejt periferisë është vendimi më i duhur

Emiriana Sako: Duket sikur Durrësi ka hapur një kapitull të ri zhvillimi që pas tërmetit të 2019 dhe kemi vënë re se si të gjithë si qytetarë dhe patjetër si kryetare bashkie, qeveria shqiptare ka kthyer kokën me projekte shumë të rëndësishme të infrastrukturës madhore si kjo e porteve, hekurudhës, Marinës së Durrësit. Është një projekt shumë i rëndësihëm ky sot dhe është vendim i duhur dhe më i rëndësihëm që është marrë për qytetin, për spostimin e portit në periferi. Është vendimi më i duhur.

Gjatë kësaj kohe përveç këtij projekti që do të ketë një impakt shumë të rëndësihëm në ekonominë tonë që bazohet në turizëm dhe industri, është momenti Kryeministër që portet t’i shohim si një potencial edhe për qytetarët, le të themi jo vetëm për zhvillimin ekonomik indirekt që do të marrin për punësimet, por edhe si të ardhura që t’i kenë bashkitë, besoj do të jetë shumë e nevojshme.

Ndër të tjera Sako u shpreh se sot janë konfirmuar edhe disa projekte të tjera për qytetin, ku theksoi projektin e zgjerimit të rërës në zonat e plazhit që i shërben turizmit dhe atyre që vijnë të vizitojnë Durrësin.

Emiriana Sako: Së bashku kemi hapur një projekt shumë të rëndësiëhm me qeverinë shqiptare. Kemi marrë sot konfirmimin për unazat e qytetit të Durrësit, por nga ana tjetër me Kryeministrin kemi diskutuar për projektin për zgjerimin e rërës në zonat e plazhit ku do të vazhdojmë pjesën e dytë të shëtitores, por mbi të gjitha projektin e rëndësishëm për zgjerimin e rërës që i shërben turizmit dhe atyre që vijnë të vizitojnë Durrësin gjatë sezonit turistik. Unë sot kam një falenderim për punën që është bërë nga zv.kryeministra, kryeministri dhe gjithashtu ju uroj shumë suksese në garë të gjithë atyre që do të marrin pjesë.

/tvklan.al