Durrësi është gati për të pritur pushuesit në sezonin turistik. Ky qytet është zgjedhur nga turistët edhe gjatë këtyre 5 muajve por autoritetet parashikojnë një numër mbi 1.5 milionë të turistëve të huaj. Janë bërë të gjitha përgatitjet si dhe ndarja e hapësirës në plazh.
Emiriana Sako, kryetare e Bashkisë së Durrësit: Kryesisht Europa është ajo që zgjedh qytetin Durrësit për plazhe, sepse plazhet janë kryesisht për familjet dhe për fëmijët, plazhet e Durrësit. Sigurisht që kemi turistët gjermanë, çekë dhe polakë ato që janë tashmë prej 5 apo 10 vitesh frekuentuesit kryesorë të bregdetit të Durrësit, por edhe nga SHBA kemi pasur.
Durrësi nuk zgjidhet vetëm për plazhin por edhe për atraksionet historike.
Emiriana Sako, kryetare e Bashkisë së Durrësit: Ne kemi Amfiteatrin asetin tonë më të rëndësishëm, por edhe monumente të tjera të cilat janë më të vogla, i shohim edhe gjatë përditshmërisë sonë që grupe të ndryshme vizitorësh kryesisht në këtë periudhë kanë qenë gjermanë dhe çekë, të cilët kanë ardhur dhe kanë vizituar qytetin. Këto janë pikat ku ka interes më të madh, Tora Veneciane e cila është hapur edhe për publikun pra pas restaurimit. Muzeu Arkeologjik është ende në një proces rikonstruksioni.
Bashkia ka bërë gati edhe një kalendar të pasur me aktivitete në mënyrë që turistët t’i kalojnë sa më bukur mbrëmjet në qytet.
Emiriana Sako, kryetare e Bashkisë së Durrësit: Këtë vit ne kemi bashkuar edhe një kalendar me aktivitete shumë të pasur, për sa i takon aktiviteteve kulturore, të cilat do të kryhen në zona të ndryshme të qytetit. Kemi preferuar të organizojmë edhe aktivitete të cilat do të realizohen në Amfiteatrin e Durrësit. Koncerte të ndryshme do të bëhen edhe para “Sheshit Liria” dhe në teatrin Aleksandër Moisiu, në mënyrë që turistët dhe vizitorët që vijnë të kenë edhe një alternativë tjetër për gjatë periudhës së mbrëmjes, për të kaluar në qytetin e Durrësit.
Edhe vitin e shkuar Durrësi u frekuentua nga shumë turistë të huaj të ardhur nga shtete të ndryshme. Fluksi më i lartë i tyre nuk ka qenë vetëm në vijën bregdetare në qytet por edhe në zonën e Gjirit të Lalzit dhe Shkëmbit të Kavajës.
Klan News