Një vajzë nga Florida është bërë virale në rrjetet sociale pas publikimit të një mesazhi nga vjehrri i saj i ardhshëm. Mia Amabile, 27 vjeçe do të martohet së shpejti me Alex Rudolph dhe kjo do t’i sjellë edhe një familje të re: prindërit e tij.
Influencerja nga Majami është kaq e afërt me ta sa pas propozimit për martesë, vjehrri i saj, Doug i dërgoi një mesazh ku i shprehte ndjesitë e tij për momentin vendimtar.

“Mia ime e dashur, tani që është zyrtare, doja të merrja një moment që të të thosha drejtpërdrejt dhe personalisht sa të lumtur jemi që je bërë një anëtare e familjes tonë dhe ne e tëndes! Të kemi dashur që nga momenti që të kemi njohur dhe e kemi parë gjithmonë që ti dhe Alex jeni bërë për njëri-tjetrin! Gjëja më e rëndësishme është që ju të dy e doni njëri-tjetrin pa kushte, kujdeseni dhe kjo është ajo që ka më shumë rëndësi! Mezi po presim për kohët e mrekullueshme që do tëkalojmë bashkë. Me gjithë dashurinë tonë, Doug”, përfundon mesazhi.

Mia dhe Alex kanë dy vite së bashku. Propozimi për martesë ndodhi gjatë një udhëtimi në St. Barts. Por momenti i veçantë u kthye në “përsosmërisht jo perfekt”, tha Amabile për Fox News Digital.
Influencerja mbeti e shtangur kur Alex u gjunjëzua teksa hanin një darkë mbi një shkëmb pranë hotelit. “Ai kërkoi diçka në çantën e vogël të plazhit që kishim marrë për piknik dhe kapi kutinë e kartonit që mbante kutinë e unazës, e cila ishte bosh”, shpjegoi ajo.

Amabile tha se i fejuari i saj u zbeh në fytyrë, e zuri paniku dhe tha: “S’e kam unazën”. Më pas shkoi në dhomën e hotelit për të ndryshuar kutitë dhe u kthye për t’ia nisur nga e para.
“U gjunjëzua sërish dhe tha: ‘a je gati për momentin tënd të vërtetë?’ Është e mrekullueshme. Mora dy propozime”, tha 27-vjeçarja.

Por pas kësaj, Amabile i hodhi një sy celularit ku e priste një mesazh i përzemërt nga vjehrri i saj i ardhshëm. “Nuk u habita fare. Kështu sillet Doug”, u shpreh ajo duke shtuar se gjëja më e bukur e mesazhit ishte mënyra si Doug perceptonte marrëdhënien e tyre.
Ky i fundit nuk rezistoi pa e shprehur admirimin për nusen e ardhshme. “Që herën e parë që e takova, mund ta dalloja që ishte ndryshe nga të gjitha marrëdhëniet. Kjo ishte e veçantë. Kjo mund të ishte e duhura. Kishte diçka magjike kur i shihje të dy bashkë”.

Dough nuk e kishte shkruar paraprakisht mesazhin, por ndjeu një dëshirë të natyrshme për ta mirëpritur Mia-n në familjen e tyre.
Më e papritura për ta ishte që historia do të bëhej virale. Amabile e postoi në TikTok ku ka marrë mbi 3.7 milionë shikime dhe mijëra komente ku ndjekësit kanë rrëfyer historitë e tyre./tvklan.al