Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Pozita dhe opozita arrijnë kompromisin e parë për verifikimin e listave të votuesve. Një udhëzim i dalë nga komisioni parlamentar për listat e votuesve, i jep të drejtë komisioneve zgjedhore të qeverisjes vendore, të dërgojnë anëtarët e tyre pranë zyrave të gjendjes civile. Në lidhje me këtë udhëzim, kryetari Bufi u shpreh.

Ylli Bufi:- “Thelbi i marrëveshjes me konsensus është ky, që tashmë në zyrat e gjendjes civile do të shkojnë jo vetë zgjedhësit, por do të shkojnë përfaqësuesit e KQZVV. Pra kështu kemi një proces më të besueshëm dhe kjo është edhe arsyeja që ramë dakord në komisionin parlamentar dhe kështu mendojmë që kemi arritur një marrëveshje të rëndësishme, që përfundimisht të mos kontestohet procedura e përgatitjes së listave të zgjedhësve”.

Përfaqësuesit e opozitës Ngjela e Minarolli dhanë garanci, për pjesëmarrjen e opozitës në përbërje të komisioneve zgjedhore të qeverisjes vendore.

Spartak Ngjela:- “Komisioni vendosi të bëjë një udhëzim, i cili të parashikojë konsensusin që kanë arritur palët në komision dhe partitë. Ky besoj se është baza e konsensusit”.

Kryekomisioneri Celibashi, ftoi partitë të mbështesin KQZ, për të arritur realizimin e zgjedhjeve brenda afateve ligjore./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame