Zërave të ndërkombëtareve për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri i shtohet edhe ai i Partive Popullore Europiane, të cilat përmes një rezolute i kërkojnë palëve të ulen në tryezën e dialogut.
“Duke vlerësuar se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë politike, nxit partinë në pushtet dhe opozitën në Shqipëri të ndërmarrin të gjitha përpjekjet për të tejkaluar menjëherë këtë krizë të thellë politike përmes dialogut”.
Reforma Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, theksohet në rezolutë, është një ndër detyrat që klasa politike duhet të përmbyllë në funksion të zgjedhjeve të lira e të ndershme, si dhe integrimit europian të Shqipërisë.
“Adoptimi konsensual nga partitë politike i një reforme elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR që shtron rrugën drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përfaqëson një kusht të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe integrimin drejt BE-së. Duke rikujtuar theksin e përsëritur nga ana e OSBE/ODIHR, të rëndësisë që ka vullneti politik për të garantuar zbatimin e të gjitha kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, bën thirrje për zbatimin e reformës elektorale, në dobi të demokracisë dhe të funksionimit të institucioneve demokratike qendrore dhe lokale në Shqipëri”.
Funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve të reja të drejtësisë është një tjetër prioritet që duhet përmbushur në funksion të legjitimitetit të zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, si dhe dhënies fund të fenomenit të përfshirjes së krimit të organizuar në proceset elektorale.
“Shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të sigurojë funksionimin e duhur të Gjykatës Kushtetutese dhe Gjykatës së Lartë duke i plotësuar vendet e tyre me gjyqtarë; pret një vendim të shpejtë dhe final nga Gjykata Kushtetuese mbi legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019. Thekson se blerja e votave dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje është e papranueshme për standardet europiane dhe bën thirrje për rezultate të prekshme dhe në kohë të hetimit të suksesshëm të përgjegjësve, përfshirë dhe politikanët, zyrtarët e shtetit dhe grupet kriminale që janë përfshirë në blerjen e votës dhe krime të tjera elektorale gjatë zgjedhjeve”.
Në rezolutën e PPE-së flitet me shqetësim edhe për përfshirjen e personave me rekorde kriminale në funksione publike.
“Shpreh shqetësim të thellë për fenomenin e vazhdueshëm të personave me rekorde kriminale që kandidohen për poste në institucione apo emërohen si funksionarë publikë në shkelje të hapur të “Ligjit të Dekriminalizimit” dhe bën thirrje për zbatim pa ekuivoke të ligjit, dhe largimin nga detyra të zyrtarëve që e kanë shkelur atë”.
Rezoluta nxit gjithashtu Shqipërinë që të ngrejë Strukturën e specializuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe bën thirrje për nisjen e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë akuzuar për vepra të ndëshkueshme nga procesi i vettingut.
Tv Klan