Ministria e Shëndetësisë ka nisur konsultimet mbi ligjin “Për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues” që prej 18 Prillit, ku deri më tani ka ndeshur mjaft kundërshti. Përfaqësues të Shoqërisë Civile, Komunitetet Fetare dhe Koalicioni Pro Familjes dhe Jetës e opozita deri më tani kanë dalë publikisht kundër këtij projektligji që sipas tyre dëmton vlerat e shoqërisë dhe familjes shqiptare.
Akil Pano, pastor, Koalicioni Shqiptar Pro Familjes: Kemi sjellë një relacion të mirëmenduar dhe mirëpunuar nga një grup ekspertësh prej koalicionit me 12 faqe. Një relacion i cili kundërshton në themel këtë pr.ligj famëkeq i cili synon dekonstruksionin e familjes, përçudnimin e njeriut.
Kimete Klenja, Dr. Qendra për Jetën “Shën Jozefi”: Ligji që të jetë ligj duhet të plotësoje tre kritere. Kriteri i parë është që ai të zbatohet me forcën e shtetit, i dyti është që të jetë i arsyeshëm dhe i treti është që të jetë i morlashëm. Ne gjykojmë që ky ligj nuk i plotëson dy kritere për t’i kaluar, të dytin dhe të tretin, pra nuk është as i logjikshëm dhe as i moralshëm.
Dorina Mema, aktiviste: Një njeri duhet të dojë nënën babain dhe tokën që e ka rritur. Këtë nuk duhet t’a harrojmë kurrë.
Në takimin e zhvilluar tek Ministria e Shëndetësisë, ku ishin të pranishëm Zv/Ministrja Mira Rakacolli dhe ekspert të Ministrisë, nuk munguan debatet në lidhje me disa nga pikat e Projektligjit siç është aborti, sterilizimi apo dhe surrogacia.
Përfaqësues të Shoqërisë Civile, Komunitet Fetare dhe Koalicioni Pro Familjes dhe Jetës kërkojnë që mos të miratohet Projektligji “Për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues”, pasi Shqipëria sipas tyre nuk është gati për ndryshime të tilla.
Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë nënvizon se ky projektligj vjen në mënyrë organike paralelisht me një sërë politikash shëndetësore e sociale që kanë impakt në përmirësimin e shëndetit seksual, sidomos për të rinjtë e adoleshentët, por edhe atij riprodhues.
Klan News