Vetëm një marrëveshje mes partive për reformën elektorale do të shmangë përçarjen nga të djathtët. Rritja e pragut elektoral nuk është problemi i opozitës, por, sipas kryetarit të grupit parlamentar aleanca për demokraci Zogaj, dalja e vetme e partive të vogla është në dëm të tyre.
Preç Zogaj: “Të gjitha partitë dhe ato të opozitës janë në të drejtën e tyre që të kërkojnë të rriten në zgjedhje, por unë besoj se me afrimin e fushatës elektorale do të ketë një marrëveshje, pra jo një përçarje të inciuar nga Partia Demokratike. E keqja e pragut 2.5% është se ai është një prag i fabrikueshëm, partitë e vogla të qendrës së djathtë duhet gjithashtu të përgatisin propozimet e tyre për të shkuar drejt një reformimi në tërësi të jetës politike në vend dhe për pasojë edhe për reformimin e shtetit duke shmangu përçarjen, duke shkuar drejt një marrëveshje elektorale, përfshirë dhe lëvizjen e iniciuar nga Leka Zogu. Mendoj se është e domsdoshme që të shkohet drejt një marrëveshje.”
Për sa i përket përçarjes në kampin kundërshtar dhe shanseve për ribashkim, Zogaj nuk sheh problem bashkimin, por reformimin e socialistëve. Ndërkohë Zogaj shpjegon se në shtator opozita ka programuar lëvizje popullore për largimin e kryeministrit.
Preç Zogaj: “Reformimi është sfida më e madhe e së majtës në pushtet sot, për të kapërcyer një model qeverisje që do të mbetet një njollë në historinë e Shqipërisë, sepse është modeli që ka si markë, si vulë korrupsionin, abuzimin me fondet publike. Mirëpo reformimi në këtë kah do të thotë për seocialistët që ata të presin degën ku rrinë. Kështu e kanë shumë të vështirë, dhe shenjat, lajmet që dëgjojmë për ndryshim vendesh në kryesinë e Partisë Socialiste janë si të thuash largimi i dy-tre njerëzve dhe përfshirja në kryesi e disave që janë akoma më të korruptuar. Largimi i kryeministrit Fatos Nano mbetet një objektiv konstant i opozitës shqiptare dhe gjithë veprimtaria e opozitës për sa i përket marrëdhënieve me ekzekutivin fokusohet në këtë aspekt. Unë parashikoj një vjeshtë të nxehtë politike që do të nisë për kërkesat, për interpelancat, ndofta dhe për komisione hetimore në parlament, por që do të gërshetohet edhe me lëvizje popullore.” /tvklan.al