Shkrimtari me vëllimin me poezi “ Një e tretë, Dashuri” e novelën “Bija e vjetër e nënës së re”
Panairi i Librit 2021 ka mbledhur 95 shtëpi botuese dhe mjaft shkrimtarë e krijues. Pjesë e tij është edhe shkrimtari e publicisti Preç Zogaj i cili sjell vëllimin me poezi “Një e tretë, Dashuri” dhe novelën “Bija e vjetër e nënës së re”. Zogaj flet për tematikat që janë në shkrimet e tij, ku mbizotëron dashuria.
“Tema e dashurisë është gjithnjë një temë qendrore në poezinë time siç është temë qendrore në të gjithë historinë e poezisë lirike botërore, por është e ndërtuarme pesë cikle, nuk është vetëm një libër për temën e dashurisë. Ka një cikël vetëm për nënën, ka dhe poezi meditative filozofike dhe sociale, ka dhe poezi sociale. Është një libër kompleks me poezi”.
Duke qenë se shumë e kanë shfrytëzuar karantinën edhe për të krijuar e shkruar, Zogaj thekson se shkruan vazhdimisht pavarësisht periudhave në të cilat jetojmë.
“Duke qenë njeri i mediave ne e kemi jetuar ndryshe karantinën, kemi qenë në punë por unë kam kalendarin tim. Pothuajse çdo vit ose njëherë në dy vite kam një libër të ri. Sivjet kam dy libra sepse njërin e kam shkruar përgjatë tre-katër vitesh, siç është libri me poezi”.
Për të gjithë lexuesit që janë në pritje të veprave të radhës nga Preç Zogaj, shkrimtari ka këtë përgjigje.
“Unë jam gjithnjë duke shkruar në tavolinë dhe në ecje, shkrimtari, sidomos poeti, është në punë duke ecur. ‘Puna e poetit është në pritje’, thoshte Borgesi dhe gjithnjë jemi duke pritur çastin kur motivi i ri e viziton mendjen dhe shpirtin”.
Veprat “Një e tretë, Dashuri” dhe “Bija e vjetër e nënës së re” mund t’i gjeni në stendat e panairit të librit në Pallatin e Kongreseve deri në ditën e fundit të panairit këtë të diel.
Klan News