Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Prefekti i Tiranës ka vendosur të pezullojë lejet e ndërtimit të dhëna nga kryetari i komunës së Kasharit, për ngritjen e dy pallateve në zonën e kombinatit “Misto Mame”, ku aktualisht po ngrihen me dhjetëra ndërtime.
Banorët e kësaj zone kanë protestuar kundër vendimit për prishjen e 12 shtëpive, pasi sipas tyre kryetari i komunës së Kasharit nuk ka asnjë të drejtë mbi këtë zonë. Prej vitesh banorët e kësaj zone votojnë dhe paguajnë taksat në njësinë bashkiake numër 6, megjithëse nga ana territoriale zona përfshihet në komunën e Kasharit.
Banori: “Nuk jemi dakord absolutisht, si gjithë familjet e fushës së “Misto Mames” pa përjashtim, që të kemi lidhje me komunën e Kasharit, se në fakt ne jemi të ndarë.”
Me ndërmjetësimin e deputetes së zonës, zonjës Monika Kryemadhi, banorët kanë zhvilluar një takim me Prefektin e Tiranës Besnik Dervishi, ku merrnin pjesë dhe kryetari i komunës së Kasharit dhe kryetari i njësisë bashkiake, numër 6.
“Unë kam dhënë një leje ndërtimi, pikërisht në këtë zonë dhe nuk e kam dhënë në hava, po mbështetur në ligj. Zona për të cilën unë kam lëshuar leje ndërtimi është pjesë përbërëse e një sipërfaqe prej 70 hektarësh, e miratuar me KRRTRSH. Territori për të cilat bëhet fjalë sot deri në momentin që ndodhemi këtu është territor i komunës së Kasharit.”
Besnik Dervishi: “Prefekti ka marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u drejtuar KRRTRSH, për anulimin e këtyre lejeve, ashtu dhe pezullimin e menjëhershëm nga policia e ndërtimit, të çdo lloj veprimtarie në këtë zonë.”
Problemi se kujt do t’i përkasë kjo zonë, do të zgjidhet vetëm pasi KRRTRSH-ja të miratojë zgjerimin e vijës së verdhë të qytetit të Tiranës./tvklan.al
Gazetare: Elja Zotka