“Letra dashurie”, një nga tekstet më të ndjera kushtuar dashurisë përmes letrash, i dramaturgut dhe romancierit amerikan, Albert Ramsdell Gurney, do të jetë premiera e teatrit kombëtar për ditën e të dashuruarve.

Ky tekst i stilit epistolar që përbëhet nga letrat që kanë shkëmbyer dy njerëz gjatë tërë jetës rrëfen për tërheqjen e fortë të dashurisë që mbahet gjallë edhe nëpërmjet kësaj forme romantike të korrespondencës.

Ndërsa është luajtur shpesh në Brodway nga aktorë të njohur dhe ka qenë kandidat për çmimin “Pulicer” shfaqja do të interpretohet në skenën tonë nga Neritan Liçaj dhe Julia Iliriani, nën regjinë e Kastriot Çipit.

Kastriot Çipi: “Do të kemi një shfaqje jo në frymën e atij që është teatri klasik në kuptimin e mirë të fjalës. Pra nuk do të kemi dekore, nuk do të kemi … në skena, lojë dritash dhe muzikë. Do të kemi thjeshtë dy aktorë që përcjellin vetëm fjalën drejtpërdrejt me publikun. Është një tekst që merret ekskluzivisht me marrëdhëniet mes dy njerëzve, pra marrëdhëniet në çift.”  

Neritan Liçaj: “Është gjetje shumë e bukur dhe goditjen më të fortë e merr në fund, po unë nuk dua ta them sepse nuk dua ta zbuloj enigmën përpara publikut.  Është shumë e bukur që shprehet dashuria e një jete të tërë, gati 50 vjeçare që nga mosha 10, 11 vjeçare deri në fund të jetës së tyre vetëm nëpërmjet letrave. Domethënë është një dialog pavarësisht se ata lexojnë letrat që i kanë dërguar njëri-tjetrit gjatë gjithë këtyre viteve është një dialog nëpërmjet letrave.”

“Letra dashurie” do të shfaqet mbrëmjen e Shën Valentinit në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar./tvklan.al