Lajme Arkiva 2003

Përtej deklaratës së përbashkët presidentët e tre vendeve Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë kanë shprehur qëndrime relativisht të kundërta me njëri-tjetrin përsa i përket çështjes së Irakut.

Në deklaratën e përbashkët ata kanë nënvizua se regjimi i Sadam Hysenit në Irak duhet të çarmatoset siç kërkohet nga Kombet e Bashkuara. Në këtë kuadër thuhet në deklaratë vendet tona do të përkrahin veprimet e komunitetit ndërkombëtar dhe kombeve të bashkuara kundër këtij rreziku të përbashkët. Pra në deklaratë nuk theksohet se këto vende përkrahin shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë qëndrim ka shprehur edhe presidenti kroat Sjepan Mesic.

Stjepan Mesic: Përsa i përket mendimit të Kroacisë, kjo deklaratë ose kjo komunikatë e përbashkët është një ftesë për paqe. Sepse në momentin që Iraku dështon në të gjitha ato që thuhen në rezolutë atëherë ai është fajtori absolut. Pra kjo është një përpjekje për ti dhënë një tjetër mundësi paqes.

Ndërsa presidenti shqiptar Alfred Moisiu ka deklaruar se vendi ynë është radhitur tashmë kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe vendeve që paraqesin rrezikshmëri për armët e shkatërrimit në masë.

Alfred Moisiu: Paqja dhe siguria në botë vazhdojnë të jenë të kërcënuara nga terrorizmi dhe nga regjime si ai i Sadam Hysenit, që zotërojnë, apo synojnë të zotërojnë armë të shfarosjes  në masë. Shqipëria është radhitur vendosmërisht me koalicionin antiterror dhe do ta mbështesë atë deri në fund.

Presidenti Maqedonas Boris Trajkovski është shprehur hapur pro Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por me një qëndrim të kujdesshëm ndaj vendeve të Bashkimit Evropian të cilat kundërshtojnë veprimet ushtarake kundër Irakut pa vendimin e organizatës së kombeve të Bashkuara.

Boris Trajkovski: Praktikisht ne nuk marrim njërën anë kundër miqve tanë nga unioni evropian ne vetëm japim mbështetje partnerit tonë strategjik me të cilin kemi edhe interesa strategjike lidhur me rajonin. Unë mendoj se nuk mjaftojnë vetëm mbështetjet publike dhe debatet publike, por duhet marrë pjesë direkte në luftën kundër kësaj të keqe./tvklan.al